Haradinaj: Duhet angazhuar për një arsim të mirëfilltë

“Tani, bashkë  na mbetet të angazhohemi që implementimi i agjendës tonë për një arsim të mirëfilltë të shkojë në rrugën e duhur”

Lajme

06/12/2018 10:46

“Përmirësimi i sistemit të arsimit, krijimi i shkollave kampione sipas modelit gjerman, menaxhimi i shkollave, gjithëpërfshirja dhe përmirësimi i rolit të mentorëve, me qëllim që të kemi një diplomë të konkurrueshme me shtetet e BE-së, janë disa nga prioritetet dhe ndihma e shtetit gjerman në adresimin e këtyre projekteve ishte dhe mbetet e domosdoshme”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim përfaqësuesin e projektit të GIZ-it gjerman, Boris Scharloëski, i shoqëruar nga ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar Scharloëski për kontributin e organizatës GIZ  në ngritjen e cilësisë së arsimit në vend duke theksuar se arsimi në Kosovë mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, transmeton lajmi.net.

Kryeministri Haradinaj tha se rritja e buxhetit në arsim për 12 për qind, 300 milionë euro më shumë dedikuar arsimit për vitin 2019, është hapi i parë në përmirësimin e arsimit në vend, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

“Tani, bashkë  na mbetet të angazhohemi që implementimi i agjendës tonë për një arsim të mirëfilltë të shkojë në rrugën e duhur”, tha Kryeministri Haradinaj duke vlerësuar  se krahas këtyre reformave, shkollimi profesional dhe dual është tejet i nevojshëm për Kosovën dhe në këtë aspekt kërkohet me shumë angazhim.

Kryeministri Haradinaj potencoi se dëshmi që po punohet në ngritjen e cilësisë se arsimit është po ashtu, edhe rritja e buxhetit të Komunave për Arsim deri në 185 milionë euro, 14 milionë euro më shumë se këtë vit, ndërkaq, me Ligjin për pagat, punëtorët  e arsimit do të kenë pagë të dinjitetshme.

Nga ana e tij, Boris Scharloëski, udhëheqës i projektit,  e ka falënderuar Kryeministrin Haradinaj për angazhimin e Qeverisë në përmirësimin e sektorit të arsimit dhe tha se GIZ do të vazhdojë që të japë sa më shumë kontributin e tij duke ndihmuar në përmirësimin e sektorit të arsimit, ngase kjo, siç tha ai, ka të bëjë me perspektivën dhe të ardhmen e fëmijëve. /Lajmi.net/