Haradinaj: Arratisja e Lushtakut do të vonojë liberalizimin e vizave

Ramush Haradinaj ka thënë se arratisja e Sami Lushtakut më së shumti do t’i faturohet qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, kjo do të ndikojë në shtyrjen e liberalizimit të vizave. 

Lajme

22/05/2014 20:50

Haradinaj e etiketon si të korruptuarin kryesor kryeministrin në largim, Hashim Thaçin. 

AAK sipas tij, do t’i marrë 30% të votave në zgjedhjet e 8 qershorit. 

Haradinaj në emisionin “Rubikon” në Kohavision ka thënë se beson që në zgjedhjet që po vijnë do t’i fitojë 30% të votave. 

Sipas Haradinajt, kryeministri në largim i Kosovës i ka fajet për të gjitha siç ka thënë ai “të zezat” në të cilat po kalon vendi. 

“Në qeverisjen Thaçi, cilido kombinim është fatal për vendin. Udhëheqja e qeverisë nga zoti Thaçi do të jetë fatale”. 

Haradinaj i ndodhur përballë analistëve ka arsyetuar atë që është parë si afrim i tij me Thaçin pas kthimit të tij nga Haga, si përpjekje të tij për ta nxjerrë vendin, siq ka thënë ai, nga pushtimi. 

I nominuari i AAK-së për kryeministër e ka cilësuar tejet të dëmshme për shtetin arratisjen e Sami Lushtakut me shokë dhe, cilitdo person që i ikën drejtësisë. 

“Një lajm i tillë i bën dëm qytetarit të vendit. Kjo do të bëjë që të zgjaten rreshtat në ambasada për viza dhe procedurat do të jenë më të vështira. Pse? Sepse ne si shoqëri jemi duke i bërë këto lëshime, gabime, këto dëme vetvetes të cilat do t’i paguajmë shumë shtrenjtë”. 

I bindur se do të marrë 30% të votave në Kosovë, Haradinaj thotë se me qejf do të rrinte në opozitë, sesa të bëhej pjesë e cilitdo kombinim qeveritar që kryeministër do të ishte dikush tjetër.