Haradinaj: AAK do e kthejë Kosovën në hartën e botës

Ramush Haradinaj tha sot në Gjakovë se AAK-ja do të sjellë ndryshimin e duhur për Kosovën. Ai në takimin që pati me veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të UÇK-së, tha se përulet para veprës së dëshmorëve të kësaj komune.

Lajme

28/05/2014 23:58

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qëndruar sot në qytetin e Gjakovës ku është takuar me veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të UÇK-së së kësaj komune.

Haradinaj tha se ai e di se sa shumë ka dhënë Gjakova për lirinë e Kosovës dhe njëkohësisht paraqiti ngecjet e shtetit si në fushën e ekonomisë ashtu edhe atë të integrimeve.

\’\’Dikur ju kam njohur ndryshe, në një situatë ndryshe, atëherë kur nuk keni kursyer asgjë prej vetes. Shumë nga ata që kam njohur dikur, nuk janë këtu, nuk janë më mes nesh, ne gjithmonë do të përkulemi me shumë respekt për veprën e tyre”.

“Kosova i ka kaluar 15 vjet në tranzicion. Disi treguesit kanë rënë, njerëz që kanë marrë detyrat në vend sa me i rritë ambiciet, ata vet i kanë ulur caqet, e kemi arritur në një nivel ku të gjithë shohim e lakmojmë. Të gjithë fqinjët kanë liberalizim të vizave, ne nuk kemi, nuk mund të udhëtojmë si njerëz qoftë për nevojë, qoftë për qejf, bashkim familjar apo tjera arsye. Ushtria jonë nuk është tamam. Ne kemi parë e dëgjuar fjalë \’po bëhet e s\’po bëhet\’, parlamenti nuk e votoi. Zhvillimi ekonomik është i dobët, shkollimi i dobët, mungojnë pajisjet shkollore dhe ata nuk kanë mundësi të shkollohen apo studiojnë njëjtë si moshatarët e tyre”.

Sipas Haradinajt, më 8 qershor qytetarët duhet të vendosin për drejtimin që do t’i japin vendit. Ai tha se AAK-ja është subjekti që e “kthen Kosovën në hartën e botës”, duke shprehur bindjen se më 8 qershor partia e tij do të dalë fituese e zgjedhjeve parlamentare.

“Ka shumë elemente që tregojnë se humbjet do të rriten. Një drejtim tjetër ishte dikur një traditë, një vlerë, por u pa që ato ose janë shkapërderdhur ose janë plakur, por nuk janë më aty, e kjo është partia që udhëhoqi me kryeqytetin. Ka edhe një koncept që ju e njihni dhe e dini çka bënë. Ai kur i jepet e drejta, kur i jepet mundësia me e sjellë lirinë, nuk ka qenë e lehtë në Dukagjin, nuk ka qenë lehtë në Gjakovë. Ju e dini sa vështirë ka qenë, ju e dini nga dhe si kemi kaluar për të ardhur në cak. Tash shumë vijnë të marrin mësim se si ka ardhë liria këndej”.