Hapja e negociatave, Cakaj falënderon ministrat e jashtëm të BE

16:45 | 26 Mars 2020

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një postim në Facebook, ka reaguar lidhur me hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar si një arritje historike dhe plotësisht e merituar, për shkak të reformave domethënëse të ndërmarra në Shqipëri.

Ky vendim, sipas Kryediplomatit Cakaj, do të ishte i pamundur pa mbështetjen politike të vendeve anëtare dhe institucioneve të tjera evropiane, transmeton lajmi.net.

“Prandaj, sot gjithë ministrave të jashtëm të BE-së, autoriteteve të Komisionit e kolegëve të tjerë brenda institucioneve evropiane, e miqve të Shqipërisë anekënd Evropës, i shprehim një falënderim të posaçëm e mirënjohje të thellë.” – shprehu mirënjohjen e tij Cakaj.

Gjithashtu, Cakaj në reagim theksoi angazhimin e Shqipërisë në thellimin e reformave të saj në pesë prioritetet kyçe e në vijim të punës së pakursyer në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /Lajmi.net/