Hapet Panairi Dimëror
U hap Panairi Dimëror në Prishtinë. Ky panair i fundvitit është vazhdimësi e traditës ekzistuese në shumë vende të Europës. Një nga produktet e reja kësaj radhe ishte edhe “Bakllava e Christof’it”, dhuratë për mbështetësin e panairit.

Lajme
Sheshi “Zahir Pajaziti” po gumëzhinte nga të pranishmit që kishin ardhur në tendën e Panairit Dimëror, të premten paradite.
Në panairin e produkteve të llojllojshme vendore qytetarët po shijonin djathin, verërat e deri tek bakllavatë e çokollatat e shumta.
Panairi është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe Asociacioni i Agjencive të Bashkëpinimit Rajonal, prandaj përfaqësuesit të BE’së i ka takuar ta marrë dhuratën më të ëmbël.
Christof Stock, nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, ka cilësuar këtë panair si vazhdimësi e traditës të shumë vendeve të Europës.
“Ky panair u jep mundësi prodhuesve të shumtë nga mbarë Kosova që të paraqesin produktet e tyre. Rreth 50 biznese janë të përfaqësuara këtu dhe shumica e tyre janë të mbështetura nga programet e BE, e disa edhe nga Agjencitë Rajonale për Zhvillim”, ka thënë Stock.
Gjatë shëtitjes dhe shijeve të ndryshme që po provonte Stock në panair, hasi edhe emrin e tij në një ushqim.
Një shoqatë e grave kishte menduar që t’i bënte një surprizë atij, një bakllavë me kumbulla siç i shkon për qejfi. Pranë saj ishte e shkruar “Christof’s Bakllava”.
“Me këtë panair ne jemi duke e përcjellë një traditë që ekziston në shumë vende të Europës dhe që tani po fillon të aplikohet edhe në Kosovë”.
“Jam i sigurt që gjithsecili prej jush, do të gjejë të paktën një produkt të cilit nuk do të mund t’i rezistojë pa e blerë”, ka thënë Stock.