Hapet muzeu i 11 Shtatorit

Presidenti Barack Obama është bashkuar me të mbijetuarit dhe ekipin e shpëtimit të 11 Shtatorit në dedikimin e muzeut memorial, në vendin ku ndodhi sulmi në New York.

Bota

15/05/2014 18:19

Obama ju tha të pranishmëve se ky është “një vend i shenjtë i shërimit dhe i shpresës”.

Muzeu Kombëtar Memorial i 11 Shtatorit bart më vete mijëra gjëra personale dhe pjesë të kullës së Qendrës Botërore të Tregtisë.

Më shumë se 3 mijë persona vdiqën më 11 shtator 2001, pasi që aeroplanët e kidnapuar nga al-Qaeda goditën dy kullat binjake.

Një tjetër aeroplan i rrëmbyer goditi Petangonin. Sulmi tjetër ndodhi në një fushë në Pennsylvania pasi që pasagjerët kishin luftuar me rrëmbyesit e aeroplanit të tyre.

Presidenti Barack Obama dhe zonja e parë e shtetit, Michelle Obama, vizituan muzeun, ku panë edhe murin e mbushur me fotot e personave që humbën jetën dhe po ashtu aty ishte edhe një kamion i zjarrfikësve totalisht i shkatërruar. 

Ish-kryetari i New York-ut, Michael Bloomberg, ish-presidenti Bill Clinton, dhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, ishin po ashtu në këtë ceremoni.

Në hapjen e kësaj ceremonie, Bloomberg tha se muzeu ishte “një përkujtues për të gjithë ne dhe për gjeneratat e ardhshme se liria mbart me vete përgjegjësi të mëdha”.

Presidenti Obama tha se kuptimi i këtij muzeu është se “ne mund të shikojmë në fytyrat e pothuajse 3 mijë shpirtrave të pafajshëm”.

“Ne mund të prekim emrat e tyre dhe mund të dëgjojmë zërin e tyre, këto gjëra të vogla që flasin për bukurinë e jetëve të tyre – unazat e martesës, helmetat e punës, distinktivave të tyre të shndritshme”, tha Obama.

Edhe ekipi i shpëtimtarëve, të mbijetuarit dhe familjarët e personave që humbën jetën, ishin të pranishëm në këtë ceremoni të mbajtur në New York, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i tanishëm i këtij qyteti, Bill de Blasio, dhe aktori Roberto De Niro.

Së bashku me Sheshin Memorial, Muzeu i 11 Shtatorit kushtoi rreth 700 milionë dollarë, që u siguruan me donacione dhe me para publike.

Muzeu është i vendosur jo shumë larg kullave binjake. Ai do të hapet për publik më 21 maj.

Muzeu përmban shumë momente dramatike dhe të tmerrshme të ditës së 11 shtatorit, ku ka edhe video që tregojnë për kolapsimin e kullave, po ashtu ka simbole të heroizmit, siç është kamioni i zjarrfikësve, dhe një orë dore e njërit prej pasagjerëve të aeroplanit, i cili kishte luftuar me njërin prej rrëmbyesve.

“Ju nuk mund të largoheni nga ky muze pa kuptuar më thellë njerëzimin”, tha presidenti i muzeut, Joe Daniels.