Hapësira ajrore e Kosovës në rrezik mbylljeje, problem Kontrolli Ajror
Asnjë aeroplan nuk do të mund të fluturojë nga dhe për në Kosovë nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë financiare për Kontrollin Ajror në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Lajme
Ndërmarrja e cila i koordinon të gjitha fluturimet brenda territorit të Kosovës ka dhënë paralajmërimin e fundit për Qeverinë e Kosovës, duke cekur si arsye e krizës financiare në të cilën gjendet nuk mund të zhvillojë aktivitetet e veta.
Gazeta Fjala ka siguruar një dokument që i është drejtuar Qeverisë së Kosovës nga menaxhmneti i kontrollit ajror nga data 9 mars e këtij viti.
“Nëse nuk ndërmerrni hapa konkret në përputhje me kërkesën tonë për përkrahje të menjëhershme financiare, pasojat do të jenë pamundësia e ofrimit të shërbimeve të navigacionit ajror të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë dokument.
Aty shkruan se pa fluturime do të mbesin përveç qytetarëve, edhe forcat ushtarake të NATO/KFOR.
“Pamundësia e ofrimit të shërbimeve të navigacionit ajror mund të rezultojë me mosfunksionimin e aviacionit civil dhe ushtarak (NATO/KFOR) në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e firmosur nga Bekim Jashari, kryesues i Bordit, dhe Bahri Nuredini, kryeshef ekzekutiv në ANP-Kontrolli Ajror “Adem Jashari” .
Sipas këtij dokumenti, deri te kjo gjendje ka ardhur pas refuzimit të Qeverisë që t’i përgjigjet kërkesave të vazhdueshme për trajtimin e një varg telasheve që janë bartur në këtë ndërmarrje pas procesit të koncesionimit.
Njoftimi për gjendjen e rënduar financiare të “ANP-Kontrolli Ajror” i është dërguar Ramadan Sejdiut, drejtor në Njësinë për Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike. Por, njoftimi tanimë ka arritur edhe në Zyrën e Kryeministrit, përkatësisht sekretarit, Fitim Krasniqi, ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe ministrit të Financave, Avdullah Hoti.
Gazeta Fjala ka provuar të marrë një përgjigje nga përfaqësuesit e Qeverisë të cilëve u është adresuar ky dokument dhe nga zyrtarët e Kontrollit Ajror, por asnjëra palë nuk ka qenë e disponueshme të flasë për këtë.
Janë mbi dhjetë kërkesa të cekura në këtë dokument, të cilat asnjëherë institucionet përgjegjëse nuk i kanë marrë parasysh.
Problemi kryesor që e solli këtë ndërmarrje para kolapsit janë proceset e hapura gjyqësore, nga shpronësimi i tokave që tani i shfrytëzon Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në pronësi të kompanisë Limak.
“Duhet të theksojmë që çështjet e hapura gjyqësore nga eksproprijimi i tokave pothuajse kanë pamundësuar tërësisht funksionimin e ANP-Kontrolli Ajror “Adem Jashari””, thuhet në dokument.
Bazuar në raportimet e mëhershme lidhur me shpronësimet e tokave në këtë pjesë dhe procedurave gjyqësore të zhvilluara, janë rreth 3 milionë euro obligime me të cilat është ngarkuar ANP-Kontrolli Ajror pas koncesionimit.
Në bazë të kontratës për koncesionim mes kompanisë Limak dhe Qeverisë së Kosovës asnjë obligim nuk e bart koncesionuesi, por Kontrolli Ajror, edhe pse këto toka shfrytëzohen nga koncesionuesi. (ëëë.gazetafjala.com)