Hapen edhe gjashtë kapituj
Në dhjetor do të zhvillohet raundi i parë teknik i negociatave. Vlora Çitaku ka thënë se po punohet që marrëveshja të negociohet deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Jose Korte potencoi se Kosova duhet të vazhdojë reformat e dala nga studimi i fizibilitetit.

Lajme
Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot takimin e dytë me Komisionin Europian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Kryesuesja e takimi, Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, ka nënvizuar se janë hapur negociatat edhe në gjashtë kapituj tjerë të MSA`së.
Ajo ka thënë se është duke u punuar që marrëveshja për MSA`në të negociohet deri në pranverën e vitit 2014.
“Shpreh kënaqësinë që po vazhdojmë me proceset brenda afateve të parapara, dhe siç është paralajmëruar, po punojmë që e gjithë marrëveshja të negociohet deri në pranverë të vitit të ardhshëm”.
“Prej takimit të kaluar e deri më sot, Grupet Punuese të Kosovës kanë shqyrtuar ofertën fillestare të Komisionit Europian dhe gjatë muajit dhjetor ekipet tona teknike do të zhvillojnë raundin e parë teknik të negociatave”.
“Sot kemi hapur negociatat edhe për gjashtë kapituj tjerë të MSA-së, duke përfshirë edhe dispozitat e përgjithshme të MSA-së dhe ato që kanë të bëjnë me Bashkëpunimin Rajonal; Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë; Politikat e bashkëpunimit në një gamë të gjerë të politikave dhe sektorëve (përfshirë Ekonominë, Tregtinë, Sektorin Bankar, Kulturën, Arsimin, Energjinë, Bujqësinë, Promovimin e investimeve, Ndërmarrjet e Vogla të Mesme, Industrinë, etj.). Gjithashtu është hapur për negociata edhe kapitulli i Bashkëpunimit Financiar.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për Zgjerim, Joost Korte ka thënë se Kosova duhet t’i vazhdojë reformat të cilat janë paraqitur në studimin e fizibilitetit, vitin e kaluar: në sundim të ligjit, gjyqësi, administrim publik, reformë zgjedhore dhe Kuvend, mbrojtje të minoriteteve, tregti dhe treg të brendshëm.
“Ne po ashtu presim që raundi i dytë i zgjedhjeve më 1 dhjetor të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe sipas procedurave”.
“Kosova duhet të vazhdojë me një angazhim konstruktiv në dialogun me Serbinë dhe duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura”.