Hamiti: Vetëvendosje pafytyrësisht po e denigrojnë presidentin Biden, ne për 4 vjet patëm një qeveri të padijshme e të papërgjegjshme

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, njëherësh anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës, që do të dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duhet të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për avancimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në një deklarim…

Lajme

23/01/2025 19:52

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, njëherësh anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës, që do të dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duhet të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për avancimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në një deklarim për lajmi.net, Hamiti ka thënë se është në dorën e qytetarëve për të zgjedhur një qeveri të re e të përgjegjshme që do t’i riparonte marrëdhëniet me SHBA-të, që sipas tij, kanë pësuar rënie në katër vitet e fundit.

“Se çfarë do të jetë qasja e Administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, për perspektivën euro-atlantike të Kosovës, do ta marrim vesh prej tyre. Kjo është në dorën e tyre. Në dorën e qytetarëve të Kosovës është të zgjedhin një qeveri të përgjegjshme më 9 shkurt, e cila i riparon dëmet e Qeverisë Kurti, duke përfshirë edhe marrëdhëniet tona me SHBA-të, që kanë pësuar rënie në këto katër vite. Qeveria e re e Kosovës duhet të punojë ngushtë me aleatin tonë më të madh, SHBA-të, për avancim të pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, theksoi Hamiti.

Hamiti tha se në mandatin e fundit të Administratës Trump, njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë ishte në qendër të dialogut, por që për faje të Qeverisë Kurti, dialogu e ka pasur në qendër Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

“Sa për kujtesë, në kohën a Administratës së parë Trump, dialogu Kosovë-Serbi e kishte njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi në qendër të tij. Mbasandej, për fajin e Qeverisë Kurti, dialogu e ka pasur në qendër Asociacionin e komunave me shumicë serbe, madje vetëmanxhimin e serbëve, domethënë autonominë politike dhe terroriale serbe në Kosovë, në kundërshtim me rendin aktual kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha profesori universitar.

Duke komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ditë më parë kishte thënë se “Administrata Biden dhe Obama e kanë vendosur Kosovën në situatë të disfavorshme ndaj Serbisë”, Hamiti tha se kjo është hipokrizi.

Për këtë, ai përmendi kohën kur VV-ja bënte thirrje që të votohej Joe Biden, për të cilin tha se ka qenë ndër mbështetësit më të hershëm për pavarësinë e Kosovës.

“Pafytyrësisht po e denigrojnë presidentin amerikan Biden për zgjedhjen e të cilit shpreheshin para katër vjetësh këta të VV-së, për të thënë se nuk e donin Trumpin, President të SHBA-ve. Mendojnë hipokritët se kështu ia bëjnë qejfin Administratës së Trumpit tash. Presidenti Biden, më herët nën-President, shumë më herët dhe gjatë kohë Senator amerikan, ka qenë ndër përkrahësit e hershëm të Kosovës së pavarur dhe sovrane”, tha Hamiti.

I pyetur se pse Kosova nuk arriti ta shfrytëzonte më mirë kohën kur në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte Joe Biden, Hamiti tha se kjo ka ndodhur për shkak të Qeverisë Kurti, për të cilën tha se nuk ka arritur t’i bindë as aleatët më të ngushtë për politikat e veta.

“Sepse kishim një qeveri të padijshme, të papërgjegjshme këtu në Kosovë, që shënoi regres në dialog, në ekonomi, e izoloi vendin tonë, i solli sanksione ndërkombëtare (në radhë të parë të BE-së), keqësoi marrëdhëniet me SHBA-të. Faji ka qenë i Qeverisë sonë, sepse nuk ia ka dalë t’i bindë as aleatët tanë historikë për politikat që i ka ndjekur vetë në këto vite”, përfundoi Hamiti./Lajmi.net/