Hamiti: Kjo ditë ka një ngjyrë historike, komemorative

Sabri Hamiti thotë se gjashtë vjet për një shtet që lind dhe e krijon pavarësinë e vet në kushte shumë specifike - nuk është kohë shumë e gjatë. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe Kosova ka pasur edhe arritje edhe ngecje. Thotë se kjo ditë ka ngjyrë historike.

Lajme

17/02/2014 10:04

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, thotë se gjashtë vjet shtet nuk janë shumë.

Në programin e mëngjesit në RTK, Hamiti foli për ecjen e Kosovën në këto gjashtë vjet pavarësi.

Ai tha se Kosova si shtet duhet t’i forcojë atributet e saj demokratike.

“Kjo ditë ka një ngjyrë historike, komemorative”.

“Ata që kanë dhënë shumë për pavarësinë e Kosovës dhe natyrisht e paevitueshme është edhe e tashmja ose vlerësimi i asaj”.

“Gjashtë vjet për një shtet që lind dhe e krijon pavarësinë e vet në kushte shumë specifike – nuk është kohë shumë e gjatë”.

“Në anën tjetër, për një shtet i cili do ta kap kohën, në kuptim tjetër ai natyrisht bëhet i gjallë. Ajo që do të duhej të duket është një përpjekje, unë do të thosha, e të gjithë institucioneve të Kosovës, të cilët kanë ekzistuar edhe para shpalljes së pavarësisë, që të forcojnë dhe të marrin atributet e veta të një shteti të pavarur”.

Sabri Hamiti, i cili është edhe nëkryetar i LDK’së tha se Kosova ka pasur edhe arritje edhe ngecje gjatë këtij gjashtë vjeçari.

Ai, edhe njëherë përmend rolin e rëndësishëm të bashkësisë ndërkombëtare, e veçmas të SHBA’ve, dhe kontributin e të gjithëve për shpalljen e pavarësisë.

“Është çështje tjetër se a kanë pasur ritmin e duhur të zhvillimit dhe të marrjes së atributeve demokratike të të gjitha këtyre institucioneve të pavarura të Kosovës”.

“Ka pasur ritme të shpejtuara, ka pasur dhe ngecje. Çështjet kanë qenë edhe të natyrës politike, edhe ekonomike edhe sociale, edhe të raporteve të brendshme dhe të jashtme”.

“Është e ditur që shpallja e pavarësisë tek ne ka qenë njëfarë marrëveshje konsensusi e brendshme, së pari e shqiptarëve në Kosovës, pastaj edhe të tjerëve, me një bashkëpunim dhe bashkërenditje me bashkësinë ndërkombëtare, miqve politik të Kosovës, që në fund të fundit mund të reduktohet në ndihmesën konkrete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.