Hamasi kundërshton armëpushimin

Komandanti ushtarak i Hamasit, Mohammad Deif, ka përsëritur se është i pamundur armëpushimi me Izraelin, përpara plotësimit të kërkesave të këtij grupi.

Bota

30/07/2014 14:24

Deif gjatë një paraqitje për mediat palestineze një ditë më parë, ka përsëritur edhe të mërkurën kërkesat e Hamasit, ndër to më e rëndësishmja, që Izraeli t’i jap fund bllokadës në Rripin e Gazës.

Deif, i cili ka mbetur në karrocë invalidësh, për shkak të një tentative izraelite për vrasjen e tij, ka thënë se armëpushimi pa kushte është i pamundur.

Sulmet ajrore izraelite dhe shkëmbimet me armë zjarri ditën e martë shkaktuan vrasjen e të paktën 100 palestinezëve, të mërkurën thuhet të jenë vrarë 16, ndërsa që prej 8 korrikut kanë humbur jetën mbi 1200 palestinezë.

Pesëdhjetë e tre ushtarë dhe tre civilë izraelitë, gjithashtu janë vrarë nga dhuna në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka deklaruar se operacioni ushtarak kundër Hamasit nuk do të ndalet derisa Izraeli të shkatërrojë një rrjet tunelesh që Hamasi e përdor për të kontrabanduar armë dhe terroristë në Izrael.