“Hallexhinjtë” – Tifozët e Shqipërisë ironizojnë me kryesuesit e FSHF-së

“Futbolli nuk është për hallexhinjtë!” Kjo fjali e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishi, i trazoi pa masë shpirtrat e tifozëve shqiptarë të futbollit, sidomos ata të Kombëtares kuqezi.

Sport

15/10/2019 10:59

Në rrjetet sociale, por jo vetëm, pati reagime të forta, madje iu kërkua presidentit Armand Duka dhe institucionit që ai drejton të distancohej nga kësi “çmendurish”.

Gjithçka ka në bazë çmimet e kripura që aplikon FSHF-ja për tifozët, kur luan Kombëtarja kuqezi.

Krejt ndryshe ndodh jashtë, siç ndodhi edhe në Stamboll, në një stadium tejet komod, ku bileta më e shtrenjtë shkonte 20 euro, ndërsa në “Elbasan Arena” ky “tavan” kap edhe shifrën e 80 apo 90 eurove.

Në fakt, pavarësisht çmimeve të kripura, janë tifozët kuqezinj, ata që nuk i ndahen kombëtares, kudo që luan, duke e mbështetur fort. Kështu ndodhi edhe mbrëmë, ndaj Moldavisë, në fushën e kësaj të fundit.

Tifo-grupi “Tifozat Kuq e Zi” kanë shpalosur një baner, me të cilin thumbojnë publikisht FSHF-në dhe Arben Dervishin.

“Hallexhinjtë”, – shkruhej në të, si për t’iu thënë “dervishëve” të federatës se ata nuk i ndahen kombëtares, edhe në ndeshje të një rëndësie të dorës së dytë, si ndaj Moldavisë, ndërsa ata “parelinjtë” duken nëpër tribuna VIP vetëm kur ka ndeshje speciale. /Telesport/