Haliti thotë se respektimi i vendimit të Kushtetueses, largon opsionin e zgjedhjeve

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se heqja dorë e bllokut LDK-AAK-Nisma nga pozita e Kryetarit të Kuvendit dhe respektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të relaksonte situatën politike.

Lajme

07/11/2014 14:38

Megjithëse ka kërkuar që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për daljen nga ngërçi politik, PDK-ja, sipas Halitit, mund të heq dorë nga kjo kërkesë, nëse Blloku vendos që t’i respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Ai vlerëson se përfaqësuesit e partive parlamentare, duhet të takohen sëbashku tek Presidentja dhe të merren vesh për zhvillimin e procedurave në Kuvend në drejtim të zhbllokimit të situatës.

“Nëse Blloku është i gatshëm që të zbatojë të drejtën kushtetuese që e ka PDK-ja atëherë unë po besoj që do të shkohet drejt asaj që të relaksohet edhe skena politike”, tha Haliti për Radio Kosovën.

Në funksion të relaksimit të situatës, sipas Halitit, është edhe mesazhi që e dha një ditë më parë ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

“Deklarata e zonjës ambasadore ka qenë në përputhje me atë që duhet ta bëjmë ne. mesazhi është i qartë, mesazhi nuk është vetëm i ambasadores, dhe ky mesazh duhet të kuptohet drejt nga të gjitha subjektet politike pa përjashtim dhe duhet të veprojmë”, tha Haliti.

Ndryshe, PDK-ja ditë më parë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues doli me kërkesën që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, nëse edhe më tutje vazhdon bllokada politike dhe institucionale në vend. /rtklive.com/