Haliti: S’po i duan komandantët e gjallë të UÇK-së, nga frika e rikthimit në pushtet

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se se s’do duhej të kishte festë për çlirimin e Kosovës, pa u përmendur kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme

13/06/2022 18:25

Haliti deklaroi se pushteti aktual nuk po i do komandantët e gjallë të UÇK-së, për shkak të xhelozirave politike.

”Nuk mund të ndodhë edhe një çlirim i ri, siç po pretendojnë disa. Është meritë e jashtëzakonshme e UÇK-së e cila për herë të parë në historinë e Kosovës, ka arritë të realizojë një kryengritje ose një luftë të armatosur, të përmasave që se ka pa asnjëherë kombi shqiptar”.

Klan Kosova: A ka festë të çlirimit pa u përmend kontributi i UÇK-së?

”Nuk e besoj që ka budallenj që mund të bëjnë festë të çlirimit pa e përmend Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sepse UÇK-në, e përmend edhe NATO-ja, e përmendin edhe ShBA-të, e përmendin të gjitha shtetet aleate, kontributin e UÇK-së”.

”Nuk e besoj që do duhej të bëhej ndonjë festë për çlirim, pa u evidentu pjesa më sublime e kombit shqiptar. Por, me demokraci, e drejta me ia mohu të arriturat e dikujt, nuk është e ndaluar. Mund të mos e dojë siç ka raste, siç ka raste gjatë luftës që nuk e kanë desht UÇK-në”.

”Edhe sot, një pjesë e madhe që flasin për UÇK-në, flasin për komandantët e ushtarët që janë vrarë në luftë, por nuk duan këta që janë të gjallë sot”.

Klan Kosova: Pse s’po i duan, pse po kanë frikë?

”Nuk kanë frikë, xhelozirat politike janë këtu. Xhelozirat në raport me autoritetin, dhe frika mos këta rikthehen në pushtet”.