Haliti: Ndoshta u keqkuptova, dëshmorët janë të shenjtë për mua

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti ka reaguar pasi që familjarët e Dëshmorëve të Kombit kanë shprehur indinjatën e tyre në lidhje me një deklaratë të Halitit gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

23/07/2015 23:03

Pas seancës familjarët e dëshmorëve të rënë gjatë periudhave të ndryshme kanë thënë se ndihen të zhgënjyer nga kjo deklaratë e Halitit dhe kanë kërkuar sqarim nga ai.

Ja reagimi i tij i plotë:

Sot, gjatë drejtimit të seancës së punimeve të Kuvendit, saktësisht pas pyetjes së deputetit të Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, për mosnjohjen e statusit të dëshmorëve të rënë para luftës së fundit në Kosovë, ndoshta mund të jem keqkuptuar.

Dua të bëj të qartë për opinion publik se sikurse dje, ashtu edhe sot, por edhe në të ardhmen do t’i respektoj të gjithë ata që kanë kontribuar për çlirimin, lirinë dhe pavarësimin e Kosovës, në veçanti ata që kanë rënë me pushkë në dorë, të cilët për mua mbeten të shenjtë.

Secila familje ka të drejtë të kërkoj statusin e dëshmorit për d jemtë apo vajzat e tyre të rënë për lirinë e vendit. Dhe tashmë ne kemi edhe ligjin për statusin e dëshmorit të UÇK-së.

Nëse do të ketë ndonjë nismë për ndryshimin e tij, unë do të jem ndër të parët që do ta mbështes pa hezituar fare.

Nuk kam se si të mos vazhdoj për t’i nderuar dëshmorët, ndër ta edhe Afrim Zhitinë, i cili ra dëshmorë me armën të cilën i dhashë unë. Prandaj askush nuk mund të më akuzojë se nuk i respektoj dëshmorët.

Po ashtu dua të sqaroj se nuk ka qenë deklaratë, por thjesht fjalë e çastit. Nëse familjet e dëshmorëve të rënë para luftës çlirimtare janë ndier të ofenduar, u kërkoj falje.

Ndryshe, sot, Komisioni i Familjarëve të Dëshmorëve të Kombit është ndier i zhgënjyer me nënkryetarin e Kuvendit, Xhavit Haliti.

Në një konferencë të jashtëzakonshme, përfaqësuesit e këtij komisioni i kanë kërkuar sqarime deputetit Xhavit Haliti rreth deklaratës që bëri sot në seancë, pas pyetjes së deputetit Haskuka për mos njohjen e statusit të dëshmorëve të rënë para luftës së fundit në Kosovë.

Haliti i tha deputetit Haskuka që të mos lexojë emra të cilën kanë vdekur nëpër spitale.

Kryetari i Komisionit të Familjarëve të Dëshmorëve të Kosovës, Naim Zhitia, i indinjuar me këtë deklaratë, tha se Haliti duhet të dal urgjentisht dhe të jap shpjegime se kujt iu referua me këtë./lajmi.net