Haliti: Kosova ra në grackën e Vuçiç

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka komentuar mbi zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit. Ai është shprehur se Qeveria e Kosovës ka rënë në grackën e përgatitur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Sipas tij presidenti Vuçiç ka pasur si qëllim që të shkaktoheshin këto trazira në mënyrë që të shmangte…

Lajme

28/05/2023 16:14

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka komentuar mbi zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit.

Ai është shprehur se Qeveria e Kosovës ka rënë në grackën e përgatitur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Sipas tij presidenti Vuçiç ka pasur si qëllim që të shkaktoheshin këto trazira në mënyrë që të shmangte dialogun.

“Mua më duket se qeveria jonë ka rënë në grackën e Vuçiçit, për të krijuar probleme me qëllim që ata të mos e vazhdojnë dialogun. Me 100 vota mua më duket e vështirë për të funksionuar si institucion në një vend ku më shumë se 90% janë qytetar të komunitetit serb dhe për më tepër janë të dëgjueshëm ndaj Beogradit, e kur them këtë mendoj se situata mund të ndikojë negativisht”,-tha Xhavit Haliti për Euronews.

I pyetur se nëse kjo situatë mund të ndikojë në “Marrëveshjen e Ohrit”, Haliti tha se për një farë kohë Vuçiç do të mungojë në takime, por nuk ka arsye që bisedimet të ndërpriten.

“Unë mendoj se do mungojë Vuçiçi në takime për një kohë e më pas do vazhdojnë bisedimet, pasi nuk ka kuptim të mos vazhdojnë bisedimet. Problemi është a do pranohet kjo qeverisje dhe a do pranohen kryetarët e komunave të zgjedhur vetëm nga votat e shqiptarëve dhe komuniteteve pakicë dhe si do vazhdojë kjo. A do vazhdojë kjo me policë? Kujt do i shërbejë kjo?”,-tha Xhavit Haliti.

Theksojmë se të premten situata në veri të vendit u tensionua kur kryetarët e zgjedhur tentuan të shkojnë në objektet e Komunës për të ushtruar funksionin e tyre./Lajmi.net/