Haliti: Gjykata Speciale nuk cenon sovranitetin e Republikës së Kosovës
Udhëheqës të institucionit më të lartë legjislativ në vend kanë konfirmuar se ka arritur drafti i Gjykatës Speciale nga Brukseli dhe se organet relevante vendore po punojnë në të.
Lajme
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti ka thënë për RTK-në se askush nuk ka nevojë të frikësohet nga Gjykata Speciale. Sipas tij, deklarimet se në mungesë të vullnetit kosovar një gjykatë e tillë mund të themelohet nga OKB-ja, mund të jenë të vërteta dhe deputetët kosovarë duhet t’i besojnë drejtësisë evropiane, me qëllim të konfirmimit të sërishëm të pastërtisë së UÇK-së.
Sipas Halitit, pavarësisht deklaratave të ndryshme, me themelimin e Gjykatës Speciale nuk cenohet sovraniteti i Republikës së Kosovës. Ai vlerëson se Kosova shtet synon Evropën dhe se kjo gjykatë është kërkesë e Evropës, përkatësisht e Këshillit të Evropës.
Haliti thotë se asnjëherë nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndonjë gabimi eventual në zinxhirin komandues të UÇK-së, i cili, sipas tij, nuk qe gjithherë i lidhur, mirëpo ai beson se edhe përmes kësaj gjykate do të vërtetohet se qëndrimi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së asnjëherë nuk ka qenë që të bëhen veprime për të cilat flitet se do të akuzohen njerëz.