Halimi: Shqiptarët e Luginës janë të diskriminuar

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Riza Halimi ka theksuar se edhe ky vit shkollor në shkollat në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës po fillon pa tekste mësimore për shumicën e lëndëve.

Lajme

01/09/2014 23:53

Ai thotë se për këtë gjendje diskriminuese faji bie mbi Qeverinë e Serbisë dhe Trupin koordinues për Luginën, të cilët nuk e kanë realizuar programin qeveritar të vitit 2001.

“Është shumë e qartë se përgjegjësia e drejtpërdrejtë për vazhdimin e kësaj gjendje diskriminuese të shkollave në gjuhën shqipe bie mbi Qeverinë e Serbisë, përkatësisht mbi Ministrinë e Arsimit, por edhe mbi Trupin koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, i cili kishte marrë obligimin për ta realizuar programin qeveritar të vitit 2001 për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës”, ka thënë ai.

Riza Halimi nuk ka përjashtuar mundësinë e protestave pasi, sipas tij, Qeveria e Serbisë është duke diskriminuar vazhdimisht shqiptarët.

“Andaj edhe është krejtësisht e arsyeshme situata në Luginë të Preshevës, ku në vend të përgëzimeve për vitin e ri shkollorë imponohen protestat si formë e rezistencës kundër diskriminimit shtetëror që në forma perfide po e zbaton edhe qeveria aktuale serbe. Mirëpo, është e papranueshme që udhëheqësit e pushteteve lokale në Preshevë e Bujanoc, edhe pse u takuan me përfaqësues të Këshillit Nacional të Shqiptarëve, nuk pranuan që vendimi për protestë, me të cilin iu drejtuan shkollave në gjuhën shqipe të jetë në emër të pushteteve lokale dhe Këshillit Nacional të Shqiptarëve, që do të kishte peshë dhe efekt shumë më të madh sesa ftesa që u bë në emër të subjekteve politike”, është shprehur Halimi, duke shtuar se arsimtarët dhe prindërit nëpër shkolla s’kanë tjetër rrugë pos t’i shprehin pakënaqësitë e tyre në të gjitha format e parapara me ligj kundër diskriminimit.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se është me rëndësi që pushtetet lokale, Këshilli Nacional i Shqiptarëve dhe deputetët t’i shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet e tyre institucionale.