Halimi i kënaqur me pjesëmarrjen në zgjedhje të Luginës
Riza Halimi thotë se numri i pjesëmarrësve shqiptar të Luginës në Zgjedhjet Parlamentare Serbe është i kënaqshëm. Sipas tij, thirrjet e partive shqiptare për bojkot të këtyre zgjedhjeve nuk kanë pasur sukses.

Lajme
Shqiptarët e Luginës po votojnë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të Serbisë, përkundër kërkesave të disa partive politike shqiptare për t’i bojkotuar ato, thotë Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Riza Halimi.
Halimi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se procesi zgjedhor është duke shkuar mirë dhe nuk ka pasur incidente.
“Ende nuk ka ndonjë vlerësim nga grupi i punës në Preshevë, por do të shohim. Në krahasim me zgjedhjet e kaluar, nuk po shohim ndonjë dallim të madh. Deri në fund të ditës pritet të shkohet deri mbi 40 për qind të daljes së votuesve në zgjedhje”, tha Halimi.
“Thirrjet për bojkotime të këtyre zgjedhjeve nuk kanë pasur sukses dhe po të kishte thirrje nga parti të tjera politike për të dalë në zgjedhje, do të mund të siguroheshin dy deputetë në parlamentin e Serbisë”.
Halimi tha se edhe më këtë numër të pjesëmarrjes në zgjedhje, dot mund të sigurohet një ulëse në Kuvendin e Serbisë.
Ai shprehu keqardhje pasi që shqiptarët nuk arritën që të dalin me një listë të përbashkët për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
“Shqiptarët e Luginës kanë pasur parasysh edhe thirrjet e autoriteteve kosovare që të dalin në votime. Thirrjet e ekzekutivit kosovar dhe vizitat e zyrtarëve të lartë të ambasadave nga Beogradi, kanë ndikuar që shqiptarët të dalin në zgjedhje”.
“Ma merr mendja se efektin me të madh e kishte edhe deklarata e djeshme e kryeministrit të Kosovës, i cili në mënyrë shumë të qartë dhe dha një përkrahje shumë të qartë për pjesëmarrje aktive të shqiptarëve në procese demokratike dhe në zgjedhjet e sotme në Serbi. Ma merr mendja të gjitha këto në mënyrë të përmbledhur, por fushatës sonë bënë një efekt mjaft serioz. Dhe, dalja sot është mbi parashikimet e mia personale që i kam pasur në fillim të kësaj fushate”.