“Hakmarrje gjermane”, shërbimi inteligjent BND ka përgjuar Hillary Clinton

Shërbimi i jashtëm inteligjent i Gjermanisë ka përgjuar të paktën një telefonatë të bërë nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, raportojnë mediat gjermane.

Bota

16/08/2014 12:03

Telefoni i saj u përgjua “aksidentalisht ndërsa ajo ndodhej në një avion qeveritar amerikan.

E përditshmja “Sueddeutsche Zeitung dhe televizionet NDR dhe WDR thonë se kanë mësuar për ndërhyrjen (hacking) nga dokumentet që CIA ka siguruar nga një person i brendshëm në shërbimin inteligjent gjerman. 

Nuk dihet se kur është përgjuar telefoni i Clinton pasi nuk është dhënë asnjë datë.

Shërbimi Federal Inteligjent i njohur si BND regjistroi ‘aksidentalisht’ një telefonatë hyrëse nga telefoni i Clinton.

Nga ana tjetër, zyrtarët gjermanë kanë mohuar sistematikisht se kanë përgjuar SHBA-të dhe theksojnë se kurrë nuk kanë përgjuar një aleat të NATO-s. 

Ndryshe, shërbimet inteligjente amerikane kishin përgjuar telefonin e kancelares gjermane Angela Merkel. Dalja në pah e këtij informacioni ndikoi në acarimin marrëdhënieve të dy shteteve.