Hakeri Ardit Ferizi iku me dosje nga Kosova

Ardit Ferizi, hakeri 19-vjeçar nga Gjakova, që u arrestua ditë më parë në Kuala Lampur të Malajzisë, ishte shndërruar në makth edhe për Qeverinë e Kosovës dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Lajme

19/10/2015 08:01

Megjithatë, ai me shumë komoditet ka arritur të dalë nga Kosova.

Burime të gazetës “Zëri” në Policinë e Kosovës bëjnë të ditur se ndaj Ferizit kanë ushtruar shtatë kallëzime penale nën dyshimin se i njëjti në mënyrë të paautorizuar ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike të institucioneve të ndryshme, organizatave, bizneseve e individëve.

Të gjitha kallëzimet penale ndaj tij kishin shkuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

Pavarësisht hetimeve që po i zhvillonte Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ardit Ferizi ishte lejuar që ta lëshonte Kosovën.

Sipas të dhënave që i posedon Policia e Kosovës, Ferizi ishte larguar nga Kosova më 18 gusht të vitit 2014. Pa kaluar as dy muaj nga largimi i tij, saktësisht më datën 9 tetor të të njëjtit vit, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte lëshuar urdhër-arrest për Ferizin.

Në anën tjetër, autoritetet malajziane më 15 shtator të këtij vitit kanë arrestuar Ferizin nën dyshimin se ka bashkëpunuar me grupe terroriste të “Shtetit Islamik” dhe të njëjtëve iu ka ofruar informacione për 1351 pjesëtarë të personelit të ushtrisë dhe qeverisë amerikane./Zëri