Hajvalia jashtë shtëpisë, Munishi 1 muaj dënim

Komisioni Disiplinor ka marrë vendime të ashpra, pas incidenteve që ndodhën fundjavën që shkoi. Hajvalia duhet t’i zhvillojë dy ndeshje jashtë shtëpisë, kurse Ismet Munishi dënohet me një muaj moskryerje të detyrës së trajnerit.

Sport

02/05/2014 18:35

Komisioni Disiplinor i FFK-së i ka ‘treguar dhëmbët’, pas mbledhjes së anëtarëve të tij, të mbajtur të premten.

Masat më të rënda u morën ndaj akterëve të ndeshjeve Hajvalia – Trepça dhe Llamkos Kosova – Ferronikeli.

Kështu, Hajvalia, për shkak të lëshimeve në organizimin e ndeshjes, me ç’rast shikuesit u futën në fushë dhe i sulmuan mysafirët, do të jetë e detyruar t’i zhvillojë dy ndeshje jashtë terrenit të saj.

Kurse, trajneri i Hajvalisë, Synaj Keçi dhe ndihmëstrajneri i Trepçës, Fidaim Haxhiu, për shkak të sjelljeve josportive u gjobitën me nga 250 euro.

Ndërkaq, me një muaj mos ushtrim të detyrës është dënuar trajneri i Llamkosit, Ismet Munishi, që nënkupton se ai nuk do ta drejtojë ekipin vushtrrias në pjesën e mbetur të sezonit. 

Ndërkaq, futbollisti i këtij ekipi, Faruk Statovci u gjobit me 250 euro.

Me një muaj mos ushtrim të detyrës është dënuar edhe ndihmëstrajneri i Hajvalisë, Agim Maliqi, sikurse edhe vëzhguesi i kësaj ndeshjeje, Jakup Ramadani, për mos përshkrim të detajeve. 

Me nga tri ndeshje moslojë janë dënuar futbollistët Gëzim Gashi i Hajvalisë dhe Lavdim Balija, Shpëtim Babaj e Liridon Voca të Trepçës.