Hajredin Kuçi i kërkon përgjegjësi drejtorit të Shërbimit Korrektues për arratisjen e 3 të burgosurëve
Ministria e Drejtësisë ka lëshuar një sqarim për media ku tregon se dy të burgosur nuk janë kthyer në duke u arratisur nga pushimi që e kishin jashtë burgut. Po ashtu edhe një person sot është arratisur derisa ishte duke u përcjellur për në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Lajme
“Ministria e Drejtësisë është e shqetësuar rreth rasteve të moskthimit të dy (2) të burgosurve nga pushimi jashtë burgu nga Qendra Korrektuese në Dubravë dhe arratisja e një të burgosuri nga përcjellja humanitare në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka kërkuar nga drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Emrush Thaçi dhe Inspektorati i SHKK-së që të marrin të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për të sqaruar këto raste dhe në përputhje të plotë me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të trajtohen me seriozitetin e duhur të gjithë personat përgjegjës të përfshirë në këto raste.
Në mënyrë të veçantë, Ministri Kuçi ka kërkuar që të evidentohen shkeljet e mundshme që janë bërë gjatë procesit të kategorizimit të të burgosurve, pushimeve jashtë burgut dhe transferit të tyre nga një qendër në një qendër tjetër korrektuese apo paraburgimi.
Policia e Kosovës është duke u marr me rastet në fjalë, po ashtu edhe SHKK ka krijuar një komision hetimor dhe është duke hetuar raste, ku pas hetimit do të merren masat në përputhje me procedurat ligjore. Po ashtu Ministria e Drejtësisë ka kërkuar që më këto raste të merren organet e rendit dhe prokuroria e shtetit dhe gjithashtu Ministria e Drejtësisë dhe SHKK nuk do të lejojnë që për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë së disa individëve të dëmtohet imazhi i Ministrisë së Drejtësisë dhe puna e palodhshme e oficerëve dhe gardianëve të SHKK-së”, thuhet në Komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.