Hajdari: Prishtinës t’i shtohet sa më shumë gjelbërim

Tash e katër ditë po vazhdon iniciativa e Komunës së Prishtinës për mbjelljen e fidanëve dhe drunjëve në kuadër të “Javës së Gjelbër”, ku sot si lokacion është përzgjedhur ‘Lakërishta’.

Lajme

04/06/2020 12:44

Deri më sot, janë mbjellë rreth 100 fidanë, në kuadër të këtij aktiviteti, derisa pritet që edhe nesër të ketë mbjellje të reja.

Drejtoresha e Parqeve, Fatime Hajdari, tha se i gjithë ky aktivitet po zhvillohet, në mënyrë që Prishtinës t’i shtohet sa më shumë gjelbërim, krahas rritjes urbane.

“Aksioni “Ditët e Gjelbra” në Prishtinë ka filluar prej të hënës, e kemi shënuar kështu kalendarin ekologjik datën 5 qershor që është edhe Dita e ambientit, me mbjellje të shumta në qytet. Krejt ky aktivitet është duke u bërë në mënyrë që Prishtinës t’i shtohet sa më shumë gjelbërimi. Ky është edhe synimi i komunës që krahas rritjes së urbanit, të kemi edhe rritje të hapësirave të gjelbra”, tha ajo.

Sa i përket bulevardit ‘Bill Clinton’, ajo tha se në pamundësi për të mbjellë drunj tradicionalë, po vendosin vazo dekorative.

“Deri tani janë 100 fidan të rinj që iu kanë shtuar qytetit, por ne do të vazhdojmë edhe pas javës se gjelbër me aktivitetet tona të përditshme…Në bulevardin ‘Bill Clinton’ tashmë janë hapur gropa për vendosjen e vazove dekorative, për faktin se ka kabllo elektrike dhe mundësia për drunjë tradicionalë është e pamundur”, deklaroi ajo.

Aktiviteti “Java e Gjelbër”, përfundon ditën e nesërme.