Hahn: Ndryshimi i qeverive në Ballkan, vetëm përmes votës

20:29 | 19 Mars 2019

Protestat në vendet e Ballkanit si Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi ndiqen me vëmendje në Bruksel, por ndaj Bashkimit Europian ka pasur shpesh akuza se në emër të stabilitetit po toleron cenimin e demokracisë.

I pyetur për këtë nga Tv Klan, Komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn thotë se BE nuk do të bëjë arbitrin dhe nuk do të ndërhyjë asnjëherë për të zëvendësuar një qeveri, me një tjetër.

“Unë dënoj çdo lloj përdorimi të dhunës. Kjo nuk është ajo që ne mund të pranojmë apo të shohim, por duhet të them, që nuk jemi nga ata që mund të futemi në një vend si një forcë ushtarake e të largojmë një qeveri dhe ta zëvendësojmë atë me një tjetër. Kjo nuk ka te bëjë me botëkuptimin tone të funksionimit të ligjit”.

Hahn thotë se ndryshimi i qeverive vjen vetëm përmes votës.

“Botëkuptimi ynë për sundimin e ligjit, demokracinë, transparencën e sistemit gjyqësor është që: Po, aty mund, dhe duhet të ketë ndryshime politike, por ama me kusht që të jenë të bazuara në procese demokratike. Në zgjedhje të lira të ndershme dhe transparente. Kjo është ajo që ne përpiqemi të lehtësojmë dhe të mbështesim. Por, të besohet se ne jemi ata që veprojmë si arbitra, se kush është i mirë e kush është i keq, njëri duhet të largohet dhe tjetri duhet të vijë, ky nuk është qëndrimi ynë. Kush beson, se ne veprojmë në këtë mënyrë e ka gabim. Ne do të bëjmë gjithçka për të forcuar demokracinë në rajon”.

Edhe shefja e diplomacisë Europiane Federica Mogherini thotë se nuk e shqetësojnë akuzat.

“Ne akuzohemi se jemi shumë strikt për sa i takon sundimit të ligjit. Unë pyes nëse është dikush tjetër në të gjithë botën përveç Bashkimit Europian që promovon sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut sa ne? Jo. Unë nuk jam e shqetësuar sa i takon kësaj. Ai që po garanton që të ketë një vëmendje të veçantë ndaj antikorrupsionit, sundimit të ligjit dhe një hapësirë të përshtatshme për shoqërinë civile në të gjithë botën dhe sidomos në rajonin tonë, është Bashkimi Europian. Për këtë arsye nuk kemi pse akuzohemi aspak në këtë drejtim”.

Këto deklarata Mogherini dhe Hahn i kanë bërë në konferencën përmbyllëse të takimit të 15-të të stabilizim-asocimit BE-Maqedoni e Veriut./tvklan