Haga zbut disa dënime për krimet në Kosovë

Tre nga katër të akuzuar serbë për krime të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës kanë marrë dënime më të buta nga Shkalla e Dytë e Tribunalit të Hagës. Dënimi i mëparshëm i është konfirmuar vetëm Nebojsa Pavkovicit.

Lajme

23/01/2014 10:21

Shkalla e dytë në Gjykatën e Hagës ka shpallur sot vendimin për ish Nënkryetarin e Jugosllavisë Nikola Sainovic dhe gjeneralët Nebojsa Pavkovic, Vladimir Lazarevic dhe Sreten Lukic për krime kundër shqiptarëve të Kosovës.

Dënimet janë zbutur për tre nga katër të akuzuar.

Trupi Gjykues shpalli se Nebojsa Pavkovic duhet ta vuajë dënimin e shqiptuar prej 22 vitesh, ndërsa për Sainovic dënimi prej 22 vitesh është zvogëluar në 18 vjet. Për Vladimir Lazarevic, dënimi prej 15 vitesh burg është zvogëluar në 14, përderisa për Sreten Lukic, dënimi prej 22 vitesh është zvogëluar në 20 vjet burg.

Nikola Sainovic

 

Në gjykimin e shkallës së parë, Sainovic, Pavkovic dhe Lukic ishin dënuar me nga 22 vjet burg kurse Lazarevic me 15. Prokuroria ka kërkuar rritjen e dënimeve.

Gjykata e Shkallës së Parë i ka gjetur që të katërt fajtorë në pesë pikat e aktakuzës që kanë të bëjnë me zhvendosje të dhunshme, deportim, vrasje dhe persekutim të popullatës civile shqiptare në Kosovë.