Habitë Bërnabiq: Do të japim 2 milionë euro nga zemra për Shqipërinë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se Serbia do të japë 2 milionë euro për Shqipërinë në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve në Bruksel.

Lajme

17/02/2020 17:09

“Do të japim 2 milionë euro nga zemra për Shqipërinë dhe popullin e saj. Ju dëshirojmë më të mirën”, ka thënë Bërnabiqi për mediat.

Rreth orës 19:00 do të merret vesh shuma totale e ndihmës për Shqipërinë në këtë konferencë.

Ndërkohë, Gjermania deri më tani është shteti që ka ndarë më së shumti fonde për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i fundvitit të kaluar në Shqipëri. Shteti gjerman ka ndarë 11 milionë euro.

Ministri i Jashtëm Federal i Gjermanisë, Heiko Maas, deklaroi sot në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 se, ndonëse vendi i tij i doli në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit, tashmë duhet ndihmuar vendin edhe për rindërtim.

“Tërmeti i rëndë i nëntorit, që goditi Shqipërinë, mori 51 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme serioze. Gjermania ofroi menjëherë ndihmën e saj nëpërmjet ekspertëve të Agjencisë të Asistencës Teknike. Por tani bëhet fjalë për rindërtimin. Qytetarët në zonat e prekura kanë nevojë për banesa, shkolla dhe kopshte. Gjermania vë në dispozicion për këtë 11 milionë euro. Është një dëshmi e fortë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë fakti që Komisioni Evropian po koordinon asistencën ndërkombëtare të emergjencës dhe ka thirrur për këtë qëllim konferencën e sotme të donatorëve”, tha Mass, raporton Tch.