Habermas akuzon Merkelin: Shkatërruat përpjekjet për një Gjermani europiane

Jurgen Habermas, një prej filozofëve më të rëndësishëm europianë dhe mbështetësit e flaktë të Bashkimit Europian kritikon ashpër kancelaren Merkel dhe qeverinë gjermane se me qëndrimin e ashpër ndaj Greqisë dhe vendimin për të ndëshkuar qeverinë e Aleksis Tsipras brenda një nate hodhi poshtë përpjekjen e mundimshme të brezave ndër vite për të ndërtuar imazhin e një Gjermanie europiane.

Bota

17/07/2015 17:13

“Kam frikë se qeveria gjermane, përfshirë edhe kahun socialdemokrat humbën brenda një nate të gjithë aksionin politik të një Gjermanie me ndjeshmëri të madhe politike dhe mentalitet postnacionalist që u ndërtua në një gjysmë shekulli”-shkruan Habermas për gazetën britanike “The Guardian”, transmeton gazeta express.

Sipas tij, Gjermania u vetëprezantua si vendi që imponon disiplinën në kontinent dhe që për herë të parë synoi hapur hegjemoninë në Europë, duke nënvizuar se Bashkimi Europian ndodhet i kapur në një kurth politik.