H-UP
Studentët e kanë quajtur të turpshme gjendjen në UP dhe në shenjë marrje për të mos e parë këtë gjendje të rëndë ata ia kanë mbyllur sytë, në mënyrë simbolike, atdhetarit Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban ky institucion.

Lajme
Hyrja e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës po vazhdon të mbahet e bllokuar nga studentët që po protestojnë tash tri ditë, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e Rektorit Ibrahim Gashi, pas skandalit që plasi me botimin e punimeve të tyre në revista të rreme shkencore.
Studentët e kanë quajtur të turpshme gjendjen në UP dhe në shenjë marrje për të mos e parë këtë gjendje të rëndë ata ia kanë mbyllur sytë, me një shirti të zi, në mënyrë simbolike, atdhetarit Hasan Prishtina, në busti i të cilit gjendet në oborrin e këtij institucioni, që mban emrin e tij.
Te busti i Hasan Prishtinës studentët kanë vendosur edhe mbishkrimin: “Unë e shkriva pasurinë për arsimin, ju po e shkrini arsimin për pasurinë“.
Punonjësit e Rektoratit nuk kanë arritur as sot të futen brenda në zyrat e tyre. Megjithatë, ata thonë të kenë gjendur hapësira tjera brenda universitetit për të bërë punën që ju takon.
Zyrtari për Informim ne Universitetin e Prishtinës, Labinot Hajdari, thotë se punëtorë e zyrtarë të Rektoratit po vazhdojnë punën ditore, në bazë të rregullave në fuqi. Pavarësisht pengesave, ai tha se, stafi i UP’së po vazhdon punën.
“Ne po vazhdojmë punën konfrom rregullave ne fuqi ashtu siç përshkruan Statuti UP’së, po punojmë nëpër zyre të Universitetit”.
“Stafi ynë po e vazhdon punën nëpër zyrat e universitetit pavarësisht pengesave që po i bëhen stafit tonë në rektorat”.
Gjenda në Universitet vazhdon të mbetet e njëjtë. Studentët zotohen për të mos lejuar askënd të futet brenda në Rektorat gjatë orarit të punës deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Për dallim nga ditët tjera, sot vërehet një numër më i vogël i policëve që monitorojnë protestën.
Aty studentët kanë mbajtur një parullë me fjalën H-UP, duke kërkuar edhe përmes saj largimin e Rektorit Gashi, në të kundërten kanë thënë se protestat nuk do të ndalen.