“Guvernatori” i vetëshpallur i Luhansk sulmohet me armë zjarri

Një lider i separatistëve në Ukrainën Lindore është plagosur, pas një tentative për ta eliminuar, ka bërë të ditur zyra e tij e shtypit gjatë së martës, në vazhdën e trazirave që janë thelluar pas referendumit të fundjavës mbi pavarësinë e rajoneve lindore.

Bota

13/05/2014 18:33

Një automjet, me të cilin po lëvizte i vetëshpalluri “guvernator i popullit të Luhansk”, Valeriy Bolotov, është qëlluar gjatë së martës në rajonin lindor, thanë zëdhënësit e tij. Bolotov u plagos nga armë zjarri, por plagët përshkruhen si “të lehta” dhe jo kërcënuese për jetën.

Ende nuk dihet se kush fshihet pas këtij atentati, ndërkohë që sulmi i raportuar ka ardhur pas shtimit të tensioneve në Donjeck dhe Luhansk, ku separatistët pro-rusë zhvilluan një referendum të dielën, duke pyetur banorët nëse do të donin të shpallnin pavarësinë nga Ukraina.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili po qëndron në Kiev për një vizitë zyrtare, paralajmëroi se situata në Lindje të Ukrainës “është ende e rrezikshme dhe kërcënuese”, si dhe mbështeti përpjekjet e qeverisë së përkohshme ukrainase për të nisur dialogun kombëtar, njofton Top-Channel.

Steinmeier tha se zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, të parashikuara për 25 maj, duhet të luajnë një “rol vendimtar” në rikthimin e qetësisë në Ukrainë, duke nxitur ndërmarrjen e hapave për të çarmatosur grupet ilegale separatiste, të cilat kanë pushtuar ndërtesa të rëndësishme në pjesën lindore që kufizohet me Rusinë.

Vizita e tij është e fundit e një serie të tillë nga diplomatë të huaj, të cilët po përpiqen të gjejnë një zgjidhje paqësore të asaj që është kthyer në krizën më të keqe mes Lindjes dhe Perëndimit, që pas fundit të Luftës së Ftohtë.