Guri flet, VV qeshin, Behrami ironizon, Dehari kërkon nga regjia t’i ndalet telefoni – Çka ndodhi në seancën e 44-të

Në Kuvendin e Kosovës sot është mbajtur seanca e 44-të konstituive, e cila si 43 të tjerat ka përfunduar pa asnjë rezultat, ndërkaq pozitë e opozitë kanë “sulmuar” e akuzuar njëri tjetrin për bllokim të Kuvendit. Në këtë seancë si nga të gjitha seancat që nga 1 maji e tutje, kryesuesi i Kuvendit të Kosovës…

Lajme

09/07/2025 12:15

Në Kuvendin e Kosovës sot është mbajtur seanca e 44-të konstituive, e cila si 43 të tjerat ka përfunduar pa asnjë rezultat, ndërkaq pozitë e opozitë kanë “sulmuar” e akuzuar njëri tjetrin për bllokim të Kuvendit.

Në këtë seancë si nga të gjitha seancat që nga 1 maji e tutje, kryesuesi i Kuvendit të Kosovës ka ftuar partitë opozitare që të propozojnë një anëtar për komisionin për votim të fshehtë, por që kjo përsëri nuk ndodhi.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami mori fjalën në emër të partisë së tij por që anëtarin nuk e propozoi, derisa i përshëndeti të pranishmit në sallë i quajti të gjithë deputetët nga VV si ushtrues detyre, ndërsa Kosovën e quajti “shtet U.D.

“I nderuar u.d i kryetarit të Kuvendit, i nderuar ushtrues i kryeministrit, ushtrues të detyrës së ministrave. E nderuara ushtruese e përjetshme e kandidates për kryetare të Kuvendit, të dashur qytetar të shtetit u.d e ftoj kryesuesin të kthehet te aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, respektone Kushtetuën…”, tha Behrami.

Gjatë deklaratës së tij, ishte kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i VV-së e që është deputeti më i vjetër në Kuvend, Avni Dehari që kërkoi t’i ndalet fjala por jo nga mikrofoni.

“Regjia të ndërpresë telefonin, mikrofonin”, tha Dehari.

Pas PDK-së, për të marrë fjalën nga LDK doli deputeti Paris Guri i cili është deputet për herë të parë, e që i gjithë deklarimi i tij u përcoll me të qeshura nga deputetët e VV-së me tentimin për ta injoruar.

“Dimal qetësohu”, tha Guri pastaj kryesuesi Dehari i kërkoi sërish regjisë t’ia ndërpresë fjalën.

Në tentimin e dytë Guri nga foltorja e Kuvendit u përplas me deputeten e LVV-së, Fitore Pacolli.

“Fitore qa po kesh ti a i ke kthy 200 mijë euro, mos kesh Fitore se marre. Oj Fitore mos bërtit moj”, tha Guri.

Sërish Dehari ia ndërpreu fjalën, duke i thënë se nuk bënë të mbash debat.

“Dy herë tu ka dhënë mundësia”, i tha Dehari deputetit Guri, ndërkaq ky iu përgjigj se “si të flas kur këta qeshin si cirk, si të flas para cirkut”.

Dehari ia mundësoi edhe njëherë fjalën deputetit Guri që të jap propozimin, por sërish e ngatërroi mikrofonin me telefon.

“Ju lutem mbani qetësi edhe njëherë do t’ia lejoj mikrofonin por nëse keqpërdoret ndërpritet telefoni”, tha Dehari.

Guri sërish iu drejtua deputetes Pacolli “sje tu më lan me fol Fitore, 200 mijë euro kthej”.

Dehari “ju ndërpritet telefoni dhe nuk ka mundësi të vazhdoni”.

Nga AAK, fjalën e mori deputetja Time Kadrijaj e cila kërkoi që për anëtar komisioni të propozohet deputeti dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Kjo seancë e 44-ta me radhë ka dështuar sërish duke mos sjell një rezultat pozitiv në zhbllokimin e situatës.

Para kësaj seancë, kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj ka deklaruar se zgjidhja e vetme për zhbllokimin e situatës në Kuvend është një marrëveshje politike mes partive në vend.

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 11 korrik, të premten. /Lajmi.net/