Guardiola për mungesën e VAR: Nuk më pëlqen të fitoj në atë mënyrë, më vjen keq

Trajneri i Manchester City, Pep Guaridola, edhe njëherë ka ‘vajtuar’ mungesën e teknologjisë VAR në Premierligë.

Sport

16/03/2019 23:31

Kjo mungesë e teknologjisë  i kushtoi skuadrës së Swansea City me eliminim nga garat e Kupës FA, pas disfatës ndaj Manchester City.

Ishin dy momente të dyshimta në këtë takim, që dolën të jenë vendimtare; Penalltia tek Sterling dhe pozita jashtë loje tek goli i Aguero.

E për këtë, nuk ndihet aspak mirë trajneri i ‘Citizens’ Pep Guardiola, i cili ka kërkuar falje pas ndeshjes.

“Anë e mbanë Evropës kemi VAR, këtu nuk është. Nuk dua të fitoj në këtë mënyrë. Më vjen keq” ka thënë Guardiola, transmeton lajmi.net.

“Nuk e di, më pyesni përsëri në prill, dhe atëherë do të përgjigjem” ishte përgjigja e tij kur u pyet nëse City mund të fitojë katër trofetë.

“Dua të përgëzoj skuadrën. Jemi të kënaqur që mbetemi në garë. E di se do të konsiderohet dështim nëse nuk fitoj të gjithë titujt. Më vjen keq” ka thënë ndër të tjerash Pep.

Kjo fitore pra mban gjallë shpresat e Manchester City për të fituar Premierligën, Kupën FA, Kupën Carabao dhe Ligën e Kampionëve brenda një sezoni. /Lajmi.net/