“Grusht shteti” në Tajlandë

Ushtria tajlandeze ka vendosur gjendje të jashtëzakonshme në vend, pas një krize politike dhe protestave të dhunshme që kapluan vendin, sidomos javëve të fundit, pas shkarkimit të kryeministres Yingluck Shinawatra nga Gjykata Kushtetuese.

Bota

20/05/2014 13:20

Ushtria ka marrë kontrollin mbi radiot dhe stacionet televizive dhe ka bllokuar rrugët kryesore të kryeqytet, Bangkok, dhe qytete tjera të vendit, me qëllim siç thuhet, ruajtjen e rendit dhe ligjit.

Gjendja e jashtëzakonshme u vendos pas tensioneve të shkallëzuara midis qeverisë dhe opozitës që po zgjatin prej muajsh.

Analistët vlerësojnë se ky veprim mund të nxisë përkrahësit e qeverisë, veçanërisht nëse ndërhyrja e ushtrisë interpretohet si një grusht shteti. Kjo pasi në Tajlandë, ushtria ka realizuar të paktën 11 grushte shteti që nga fundi i monarkisë absolute në vitin 1932.

Ushtarët kanë rrethuar edhe ndërtesën kryesore qeveritare në Bangkok, e cili ka qenë “arenë” e demonstratave të dhunshme të opozitës, e cila po përpiqet që përvec kryeministres të largojë edhe administratën, që sipas saj është e korruptuar.

Ushtria ka urdhëruar edhe censurën nëpër media, në emër të “sigurisë kombëtare” dhe u ka bërë thirrje të dyja palëve, pozitës dhe opozitës, të mos marshojnë në asnjë rrugë, përndryshe do të ballafaqohen me shkeljen e Ligjit për gjendje të jashtëzakonshme, që parasheh dënime të rënda.

Shefi i Ushtrisë, Prayuth Chan, ka bërë të ditur se Ligji ushtarak ishte imponuar nga situata e krijuar, dhe se është në fuqi për të rivendosur paqen dhe rendin për njerëzit nga të gjitha anët.

Tajlandë është përballur me një luftë për pushtet që kur se vëllai i ish-kryeministres Yingluck, Thaksin Shinawatra, u largua nga pozita e kryeministrit pas një grusht shteti të bërë nga ushtria në vitin 2006.

Në fillim të muajit maj, Gjykata Kushtetuese në Tajlandë e ka shkarkuar shefen e qeverisë, Yingluck Shinawatra dhe nëntë anëtarë të kabinetit të saj, pasi që ka gjetur se kryeministrja ka shkelur pushtetin me veprimet e saj për ta transferuar shefin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar në një post tjetër, në vitin 2011.

Yingluck ka thënë se ajo dhe as partia e saj nuk kanë pasur përfitime personale nga ky transferim, porse do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi sic ka thënë ajo, ato janë të detyrueshme.

Japoni nga ana tjetër, si investitori më i madh në Tajlandë, ka shprehur shqetësime për situatën e krijuar politike dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë vetëpërmbajtje pa përdorur dhunë.