Grupi i “Drenicës”, me 27 qershor para gjykatës
Sylejman Selimi dhe bashkëluftëtarët e tij, do të dalin para gjykatës me 27 qershor, në pjesën e dytë të gjykimit për grupin “Drenica”.
Lajme
Është caktuar fillimi i pjesës së dytë të gjykimit të grupit “Drenica”, të dyshuar për krime lufte. Gjykimi do të mbahet në Mitrovicë, me 27 qershor në ambientet e Gjykatës Themelore, raporton Koha.net.
Ky rast më parë nga kryetari i trupit gjykues ishte ndarë në dy pjesë, me arsyetimin se bëhej fjalë për numër të madh të të akuzuarve, e që janë 15, dhe me numër të madh të avokatëve dhe të stafit tjetër.
Në këtë pjesë të dytë të këtij gjykimi do të jenë të njëjtit dëshmitarë dhe të njëjtat prova, ka thënë avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi.
“Ne, mbrojtja e Sylejman Selimit besojmë e presim që gjykimi do të jetë i drejtë dhe i ligjshëm. Nëse dëshmitarët do të dëshmojnë në gjykatë, e jo përmes videolinkut, me fytyrë dhe zë të shtrembëruar, nëse ata e thonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, atëherë me siguri do të kemi gjykim lirues për zotin Sylejman Selimi, ashtu siç ishte aktgjykimi lirues ndaj tij në rastin ngjashëm, muajin e kaluar, po në këtë gjykatë, në Mitrovicë”, tha avokati Gashi.
Ai ka sqaruar se tani është faza e shqyrtimeve kryesore për pjesët e ndara të gjykimit para të njëjtit kryetar të trupit gjykues, Darius Silicki. Të dy pjesët e gjykimit e grupit “Drenica” janë paraparë të zgjasin për katër muaj dhe të përfundojnë në mbarim të shtatorit.
Para panelit gjyqësor ndërkombëtar, që do të kryesohet nga gjykatësi Darius Silicki, do të jenë ish-komandantë e ushtarë të UÇK-së, të cilësuar si grupi “Drenica”: Sylejman Selimi, Hysni Thaçi, Agim, Bashkim, Driton dhe Selman Demaj, si dhe Fadil, Nexhat, Jahir dhe Zeqir Demaku. (Koha.net)