Grupet ekstremiste serbe dhe fanatikët islamikë po tentojnë të na prishin me Amerikën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ka pasur mundësi që të bëhet president i vendit deri më tani tre herë. Ai ka folur edhe për ngjarjet e fundit të ekstremizmit fetar, që sipas tij, janë duke bashkëpunuar me grupet nacionaliste serbe.

Lajme

06/01/2015 17:13

Por ai thotë se këtë post nuk e ka pasur çështje jetësore. Thaçi që tani udhëheqë Politikën e Jashtme nga marrëveshja për bashkëqeverisje mes PDK-së dhe LDK-së, marrëveshje e cila parasheh që ai të bëhet president i vendit në vitin 2016, shprehet i bindur se kjo marrëveshje do të respektohet.

Thaçi në një intervistë për Politiko.net, duke komentuar deklaratën e Presidentes Jahjga se periudha prej 6 muajsh e bllokadës ka treguar se vendit i duhet një President Neutral, e jo një Politik, ka thënë se vendit i duhet një president me legjitimet qytetar.

“Një gjë ju them sinqerisht, kam pasur mundësi tri herë të zgjidhem President në vitet e shkuara, por ulësen e Presidencës nuk e kam konsideruar çështje jetësore – që patjetër “të jem apo mos të jem” President i Republikës. Kur të vijë koha, do te ndërmerren të gjitha hapat konform Kushtetutës që marrëveshja PDK – LDK të jetësohet”.

“Kosovës i nevojitet një President me legjitimitet qytetar i cili do të mund të përfaqësonte unitetin e popullit që përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i suksesshëm duhet te jetë me legjitimitet të fituar qytetar dhe legalitet në Kuvend të Kosovës. Po ashtu, Kosovës i duhet një President që respekton Kushtetutën dhe mbron ligjshmërinë – dhe në këtë detyrë uroj Presidenten Jahjaga për punën dhe dedikimin e saj”.

“Besoj se edhe ky vit i mbetur i Presidentes Jahjaga do ta dëshmojë se ka pasur një Presidencë të respektuar dhe të njohur ndërkombëtarisht”, ka thënë Thaçi.

Ai duke folur për prioritet e Politikës së Jashtme ka thënë se atëherë nënshkrimi i MSA me Komisionin Europian, liberalizimi i vizave, aplikimi për anëtarësi në Këshill të Europës dhe Partneritet për Paqe të NATO-s, pastaj dialogu me fqinjë dhe lufta kundër ekstremizmit janë disa nga fushat në të cilat duhet të angazhohemi urgjentisht dhe vazhdimisht.

Thaçi ka folur edhe për heqjen e vizave për kosovarët, ku nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo të bëhet këtë vit, por ka thënë se mund të shtyhet edhe deri në vitin 2016.

“Ka gjasa më 2015 e mund të ndodhë me 2016. Çfarëdo vonese e paarsyeshme krijon situata shumë të pafavorshme për përkrahësit e Europës në Kosovë”, ka thënë ai.

Migrimi i qytetarëve ka thënë se migrimi nuk mund të ndalet 100 për qind, por ka përmendur se zhvillimi ekonomik do ta ulëte këtë trend.

Duke folur për ekstremizmin fetar, Thaçi ka thënë se është problem kompleks, ku po manipulohet me shtresën e varfër. Ai ka thënë se në këtë aspekt ka bashkëpunim mes klero-nacionalistëve serbë dhe ekstremistëve myslimanë, që tentojnë të prishin raportet mes Kosovës dhe Amerikës.

“Që të dy palët ëndërrojnë të na prishin me aleatin historik dhe partnerin strategjik Amerikën. Ju e dini që ne kemi refuzuar me vendosmëri më 1998-99 çfarëdo roli të vullnetarëve ekstremistë nga Lindja e Mesme në UÇK. Kemi kundërshtuar tendencat e njollosjes së luftës tonë përpara dhe do të kundërshtojmë njollosjen e Kosovës sot nga ekstremistët fetarë. Edhe grupet ekstremiste djathtiste serbe edhe fanatikët islamikë të inspiruar nga ngjarjet në Lindje të Mesme, dëshirojnë dëmtimin e Kosovës dhe aleancës tonë me Amerikë, se ne jemi dëshmi e gjallë që diversiteti dhe toleranca fetare mund t’u mbijetojnë tendencave për gjenocid dhe shkatërrim të një populli”, ka thënë Thaçi. /Politiko.net/