Grumbullohen 400 mijë lëndë në sistemin gjyqësor

Edhe viti që e lamë pas i la të grumbulluara lëndët nëpër sirtarët e gjykatave. Vetëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, 160 mijë lëndë janë ende të papërfunduara.

Lajme

24/01/2016 16:53

Por në këtë Gjykatë thonë se edhe përkundër vështirësive me të cilat u përballën, atë të mungesës së gjyqtarëve gjatë viti 2015-të, arritën që të përfundojnë 140 mijë raste.

Prioritet i tyre në vitin që e lamë pas ishte zvogëlimi i lëndëve të vjetra, ku brenda dy viteve e gjysmë në këtë Gjykatë kanë arritur të përfundojnë 60 për qind të këtyre lëndëve.

Zvarritja dhe mos përfundimi i këtyre lëndëve është edhe shkelje të e të drejtave të qytetarëve, ku siç thonë njohësit e sistemit të drejtësisë, ata asnjëherë nuk e kanë të drejtën që lëndën ta fitojnë në kohë.

Mirëpo edhe përkundër përfundimit të 140 mijë lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi, tha për KosovaPress se ende vazhdojnë të ballafaqohen me një numë të madh të lëndëve në të gjitha lëmit.

“Vitin e kaluar arritëm që të përfundojmë diku rreth 140 mijë raste, me të cilat bëjnë pjesë prej dokumenteve më të thjeshta që gjykata i lëshon e deri tek aktgjykimet në shkallë të parë”, deklaron Ibrahimi, transmeton lajmi.net

Ai ka një arsye për grumbullimin e lëndëve. “Ne mbulojmë përveç kompetencave që i kemi lënë në dorë dhe territoriale që janë të gjitha kompetencat për të gjitha gjykatat themelore në Kosovë. Prandaj ne vazhdojmë të ballafaqohemi me numër të madh të lëndëve në të gjitha lëmit pa përjashtim dhe përkundër faktit që ne kemi arritur ta kryejmë këtë numër që thash, ne kemi hy në këtë vit kalendarik me diku 160 mijë lëndë që duhet t’i marrin në punë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai shtoi se kjo gjykatë vazhdon ta bartë barrën kryesore, si dhe vazhdon të mbetët e ngarkuar me shumicën e lëndëve që kanë të bëj në me ekstremizmin fetar dhe terrorizimin, e gjithashtu një numër goxha të madh edhe të lëndëve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar.

Lëndët e korrupsionit prioritet për vitin 2016

Në dy muajt e fundit të 2015-ës, ka pas një rritje të numrit të akuzave të cilat kanë të bëjnë me çështjet e lëndëve të korrupsionit, dhe që disa lëndë tani janë edhe prioritet. Ibrahimi ka treguar se lëndët e korrupsionit do të jenë prioritet edhe gjatë këtij vit.

“Në dy muajt e fundit të 2015-ës ka pas një rritje të akuzave që kanë të bëjë me çështje të lëndëve të korrupsionit dhe janë disa lëndë që tash iu jepet prioritet sepse edhe prokuroria e shtetit ka ndarë një kontingjent të ashtuquajtur plane prioritete, që është si rezultat edhe i kërkesës së faktorit ndërkombëtar, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave që të kemi një lëvizje para, dhe tash kemi ndarë disa lëndë që kanë në prioritet në vendosje”, u shpreh Ibrahimi.

Ai tregon se në këtë gjykatë aktualisht veprojnë 88 gjyqtar, ndërkaq thekson nevojën e së paku edhe 30 gjyqtarëve të tjerë për t’i përfunduar të gjitha lëndët brenda këtij viti.

Gjykata Themelore pret nga institucionet relevante në përkrahje të sistemit gjyqësorë, që të përkrahin me buxhet adekuatë, por përveç kësaj, Ibrahimi ka theksuar edhe nevojën e ligjit për administratën gjyqësore.

Koci: Zgjidhja e vetme, shtimi i gjyqtarëve

Se qytetarëve po iu mohohet e drejta për lëndët e papërfunduar e thotë edhe avokati Arianit Koci. Ai ka thënë për KosovaPress se nuk është faji i gjyqtarëve pse janë grumbulluar këto lëndë, pasi që numri i gjyqtarëve është i pamjaftueshëm. E për këtë, ai tha se duhet të rritet numri i tyre dhe duhet të mbështeten, ku në këtë formë ata do të punojnë për të përfunduar numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura.

“Së pari e drejta e vonuar është e drejtë e vonuar, pra qytetarët e kanë me të drejtë që thonë që po iu mohohet një e drejtë elementare por ky problem është pak ma kompleks nuk e kanë fajin vetëm gjyqtarët numri i gjyqtarëve është shuam i vogël, ne kemi pritje të mëdha prej gjyqtarëve por askush prej neve nuk tenton t’i ndihmoj”, deklaron Koci.

Sipas tij, nëpër gjykata ka gjyqtar që nuk janë në nivelin e detyrës dhe nuk kanë marr vendime me kohë.

“Ky problem po bartet prej vitit në vit dhe tash jemi para një bllokade të gjykatave. Pra, zgjidhja e vetme është t’i mbështesim gjykatat dhe ta rrisim numrin sa më të madh të gjyqtarëve”, konstaton Koci.

Musliu: Të ndëshkohen gjyqtarët që nuk e kryejnë punën

Edhe Betim Musliu nga Instituti për Drejtësinë në Kosovë, konsideron se arsyeja e një numri të madh të grumbullimit të lëndëve është mungesa e gjyqtarëve dhe stafit administrativ.

“Në fakt sistemi Gjyqësor i Kosovës asnjëherë nuk është përkrahur sa duhet dhe resurset që kanë munguar kanë shkaktuar probleme të jashtëzakonshme. Rreth 400 mijë lëndë që presin të shqyrtohen, janë bartur nga vitet e kaluara. Kjo përbën shkelje të të drejtave të qytetarëve”, deklaron Musliu.

Përveç mungesës së gjyqtarëve, Musliu shton se gjykatësit vazhdojnë ta sfidojnë sistemin gjyqësorë, të cilat në mungesë të llogaridhënies nuk i përmbushin detyrimet e tyre ligjore.

“Kjo është tejet shqetësuese, sepse ata mbesin të pandëshkuar dhe në këtë formë individi duke mos mbajtur përgjegjësi, i stimulojnë që të vazhdojnë që të mos jenë efikas dhe efektiv në punën e tyre”, thotë Musliu, transmeton lajmi.net

Përkundër se ka lëndë të cilat janë shpallur prioritet për t’u zgjidhur nga sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor, lëndë këto të cilat kanë të bëjnë me krimin e organizuar, terrorizimin dhe fenomene tjera negative, Musliu shprehet se këto nuk po mbesin vetëm në letër dhe nuk po arrijnë të zbatohen.

“Në Republikën e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë nuk është shënuar një shembull që një gjykatës, ose një prokuror i cili nuk i ka përmbushur detyrimet e tij ligjore të shkarkohet nga detyra për shkak të performancës. Ende nuk ka asnjë rast të vetëm që dikush që nuk e ka kryer punën ka shkuar te shpija nga ana e gjykatësve dhe prokurorëve”, vlerëson Musliu.

Muslia madje thotë se në Republikën e Kosovës nuk kanë munguar asnjëherë ligjet, politikat dhe planet e veprimeve, por ajo çka ka munguar është zbatimi i tyre në praktikë. /lajmi.net