Grumbullimi i parë ‘ters’ për Panuccin, menjëhere me tri ndryshime – Riftohet Dermaku

Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi sot pasdite seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy takimet e muajit mars ndaj Turqisë dhe Andorrës, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit evropian të vitit 2020.

Sport

18/03/2019 16:31

Grupi në dispozicion të trajnerit Christian Panucci nuk ishte i plotë pasi Taulant Xhaka, Kristal Abazaj dhe Naser Aliji do të bashkohen me skuadrën në mbrëmjen e së hënës pasi u aktivizuan të dielën me skuadrat e tyre dhe e kishin të pamundur të mbërrinin dot më herët, raporton ‘Supersport.al’ përcjell lajmi.net.

Befasi në grumbullimin e parë ishte mungesa e portierit Thomas Strakosha, i cili ishte vonuar për të kapur fluturimin.

Gardiani i Lazios duhet të bashkohej me skuadrën të dielën, por humbi avionin për shkak të trafikut në Romë dhe Panucci e ka ndëshkuar duke e lënë jashtë këtyre dy ndeshjeve ku titullar në portë pritet të jetë Etrit Berisha, ndërsa Strakosha është zëvendësuar nga portieri i përfaqësues Shpresa, Gentjan Selmani.

Pas analizave të kryera që kanë përcaktuar shkallën e dëmtimit janë larguar përfundimisht nga grumbulli Andi Lila dhe Egzon Binaku të cilët nuk mund të rikuperohen në kohë për këto dy takime.

Për të mbuluar largimet e Lilës dhe Binakut, trajneri Panucci ka thirrur me urgjencë tre lojtarë të tjerë, mesfushorët Keidi Bare dhe Ylber Ramadani dhe mbrojtësin Kastriot Dermaku.

Në dyshim është edhe Bekim Balaj, i cili megjithatë ka qëndruar me grupin për të tentuar rikuperimin. Mbetet të shihet se si do t’ia dali Christian Panucci me gjithë këto probleme. /Lajmi.net/