Gruevski synon ta thyejë bashkëpunimin mes maqedonasve dhe shqiptarëve

Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Lubomir Fërçkovski ka analizuar për Radion Evropa e Lirë zhvillimet në Maqedoni, veçmas prapavijën e konfliktit të armatosur në Kumanovë, si dhe ka akuzuar Qeverinë në Shkup për nxitje të tensioneve etnike. Ai thotë se e gjitha është çështje e brendshme e Maqedonisë dhe se nuk ka të bëjë asgjë me fqinjët.

Lajme

11/05/2015 17:16

Çdo qeveri e VMRO-DPMNE-së përfundon me tensione etnike. Ky është rregull në Maqedoni; ata thjesht nuk dinë të qeverisin në një shtet multikulturor. Qeverisin me korrupsion, krim, korruptojnë madje edhe shqiptarët. Dhe, në fund, gjithmonë përfundon me ndonjë tension, tha Fërçkovski.

“Nuk e them se është konflikt i inskenuar, po nëse është atëherë e kanë humbur kontrollin. Me kaq të vdekur është një skenar i keq. Nuk dihet se sa civilë kanë pësuar, sa shqiptarë, atmosferë paniku në Kumanovë dhe më gjerë, tensione midis shqiptarëve dhe maqedonasve… Këto të gjitha janë kombinime të këqija. Nëse qeveria mendon se tani do të fitojë mandatin për ta rregulluar këtë, se bashkësia ndërkombëtare do t’i thotë: ju rregullojeni, ne qëndrojmë prapa jush, ajo gënjehet”.

Fërçkovski mendon se dështimi në qeverisjen e vendit krijon klimën që grupe të ndryshme të organizuara, të gjysmë-organizuara, grupe që vijnë nga jashtë ose nga brenda – çfarë ka pak rëndësi – të gjejnë terren. “Ato janë nisur nga nënçmimi i shqiptarëve në qeveri; korrupsioni i tyre shkakton zemërim te shqiptarët. 52 për qind e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë të përfaqësuar në politikë. Kjo pakënaqësi kulmon në incidente të tilla. Kjo nuk ka të bëjë me konceptin e ‘Shqipërisë së Madhe’, me Kosovën, me Shqipërinë etj. Ky është frustrim brenda shqiptarëve të Maqedonisë dhe, në njëfarë mënyrë, u drejtohet përfaqësuesve të tyre në qeveri’.

Në pyetjen e REL se a ka rrezik që dhuna të përhapet në rajon, në Serbi, Kosovë…Lubomir Fërçkovski tha se nuk beson që kjo të ndodhë. “Jo, nuk besoj. Këto do të mbeten incidente të Maqedonisë. Opozita ka paralajmëruar protestë të madhe më 17 maj. Opozita e Maqedonisë ka dashur që së bashku me shqiptarët të protestojë kundër qeverisë. Qeveria po punon që të thyejë këtë opozitë të përbashkët të qytetarëve maqedonas dhe shqiptarë. Kjo më bën të zemëruar”, përfundoi ai.