Gruevski, një ekzibicionist i papërgjegjshëm

I zhytur thellë në skandalin e përgjimeve, Gruevski po i fryen zjarrit për të ndezur luftë ndëretnike, e cila do ta nxirrte atë nga kriza politike thonë qytetarë të Kumanovës.

Lajme

09/05/2015 18:31

Anëtarë të shoqërisë civile në Kumanovë, duke mos dashur të deklarohen me emra për shkak të situatës së tensionuar atje, për Indeksonline thonë se është traditë e politikës së Gruevskit kjo mënyrë e veprimit.

“Gruevski me këto veprime po përpiqet ta zhvlerësoj rolin e fuqizuar të opozitës në Maqedoni, duke e rritur frikën e konfliktit ndëretnik për të ribashkuar popullsinë maqedone nga frika kundër një armiku të riprodhuar momental të politikës së Gruevskit, e cila atë do ta mbante përsëri në pushtet, e që armiqtë në këtë rast do të ishin shqiptarët”, thotë ky aktivist.

Ai thotë se çështja kombëtare dhe shqiptarët nuk kanë të bëjmë asgjë me atë grup të armatosur, sepse ata janë vetëm një grup mercenarësh të paguar nga Gruevski. “Qytetarët e Kumanovës apelojnë te forcat maqedone dhe grupi i armatosur që të shpurren prej shtëpive të tyre, sepse nuk jemi ‘koka turku’ për politikën ekzibicioniste dhe të papërgjegjshme të Gruevskit”, thotë ai.

Skandali i serisë së përgjimeve të zyrtarëve shtetërore të Maqedonisë, i denoncuar kohë më parë nga LSDM-ja, duket se e ka vënë në pikëpyetje funksionimin e sistemit shtetëror në përgjithësi.

Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev hodhi “bomba” të njëpasnjëshme me zbardhjen e përgjimeve të qeveritarëve në Shkup, me ç’rast dolën në shesh, para se gjithash, afera të panumërta të kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, i cili kishte përdorur aparatin shtetëror për interesa private. Komuniteti ndërkombëtar i kishte dënuar këto veprime të Gruevskit.

Por, kryeministri Gruevski kishte akuzuar shërbimet e jashtme për aferën e përgjimeve, akuza këto të cilat i përsëriti sot edhe kryetari Gjorgje Ivanov, i cili madje e fajësoi BE-në dhe NATO-n për përkeqësimin e situatës në Maqedoni.

Politikanë dhe analistë të shumtë thonë se incidentet e fundit në Kumanovë dhe Gushincë janë orvatje të fundit të qeverisë së Gruevskit, të kapluar nga paniku i përgjimeve, dhe e cila po e shndërron krizën e brendshme politike në krizë ndëretnike.

Ata e krahasuan situatën në Maqedoni me atë në Serbi, kur më 5 tetor 2000 protestat e udhëhequra nga shefi i atëhershëm i opozitës dhe ish-kryeministri i ndjerë serb, Zoran Gjingjiq, kulmuan me largimin e diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq. Sipas tyre, Zaev është në rrugë të mirë që ta rrëzojë nga pushteti Gruevskin.