Gruevski akuzohet se ka përfituar 1.5 milion euro nga buxheti i shtetit

Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski dhe lideri i partisë më të madhe opozitare LSDM Zoran Zaev, u përballën sot në gjykatë. 

Lajme

02/09/2014 18:27

Zoran Zaev ka akuzuar Gruevskin se gjatë shitjes së aksioneve të ish-Bankës Maqedonase, ka përfituar 1,5 milion euro para në dorë nga biznesmeni serb Jovica Stefanoviq – Nini, duke dëmtuar buxhetin e shtetit dhe duke kryer një veprim kriminal.

Ai gjithashtu akuzoi kryeministrin Gruevski se në periudhën 2005 – 2006 ka shitur në mënyrë ilegale aksionet e tij në këtë bankë.

Biznesmeni serb dje në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit, dëshmoi në favor të Gruevskit, dhe theksoi se nuk ka pasur marrëveshje me të dhe se aksionet i kishte blerë përmes bursës maqedonase.

E në anën tjetër, kryeministri Gruevski ngriti padi penale ndaj liderit të opozitës për shpifje dhe të pavërteta lidhur me këtë rast, dhe kërkoi 500 mijë euro dëmshpërblim.

“Vështirë është të përshkruash ndjenjat dhe shqetësimin kur dikush shpif dhe fyen. Unë e kuptoj kritikën në politikë, por kjo ishte diçka krejtësisht tjetër”, tha Gruevski.

Çështja u bë e njohur gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit, kur lideri i opozitës publikoi materiale audio në të cilat ishte përfshirë edhe Gruevski gjatë kohës kur ishte në opozitë në vitin 2005-2006. Në këtë kohë ai po realizonte shitjen e aksioneve të bankës, që i kishte përfituar nga privatizimi i saj në vitet 1999 – 2000 gjatë kohës si ministër i Financave.