Gruda: Për LVV-në populiste, Kushtetuta e vullneti i lirë politik i deputetëve s’janë vlera, por pengesa
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka shkruar në lidhje me bllokimin e konstituimit të Kuvendit, për shkak se VV pa marrëveshje politike, e pa pasur votat e mjaftueshme, tash e gjashtë herë po e provon emrin e Albulena Haxhiut. Sipas Grudës, kërkesa që deputetët të votojnë domosdoshmërisht Albulena Haxhiun është krejtësisht e…

Lajme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka shkruar në lidhje me bllokimin e konstituimit të Kuvendit, për shkak se VV pa marrëveshje politike, e pa pasur votat e mjaftueshme, tash e gjashtë herë po e provon emrin e Albulena Haxhiut.
Sipas Grudës, kërkesa që deputetët të votojnë domosdoshmërisht Albulena Haxhiun është krejtësisht e palogjikshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë parlamentare, sepse deputetët nuk janë noterë të vendimeve të një partie të vetme, ata përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe kanë të drejtë të votojnë sipas bindjes së tyre.
E plotë:
Kushtetuta i jep të drejtë partisë më të madhe për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e detyron askënd ta votojë atë. Nëse do të ishte ndryshe, Kushtetuta do të kishte parashikuar që kryetari të emërohej nga partia më e madhe, pa procedurë votimi.
Për më tepër, kërkesa që deputetët të votojnë domosdoshmërisht Albulena Haxhiun është krejtësisht e palogjikshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë parlamentare, sepse deputetët nuk janë noterë të vendimeve të një partie të vetme, ata përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe kanë të drejtë të votojnë sipas bindjes së tyre.
Kjo qasje krejtësisht e pakuptimtë e LVV-së tregon qartë mungesën e respektit që ka kjo parti për Kushtetutën dhe parimet themelore të rendit demokratik. Për LVV-në, Kushtetuta është e dobishme vetëm atëherë kur u shërben interesave të tyre partiake, ndërsa në çdo rast tjetër përpiqen ta interpretojnë ose ta injorojnë sipas tekeve politike.
Për partitë populiste siç është LVV, Kushtetuta dhe vullneti i lirë politik i deputetëve nuk janë vlera që duhet mbrojtur, por pengesa që duhen kapërcyer për të realizuar qëllimet e tyre politike. Prandaj, sot Kosova po përballet me bllokada institucionale: një parti ka marrë peng institucionet dhe po tenton të zëvendësojë rendin kushtetues me vullnetin arbitrar të liderit të saj.