Gruaja me zemër të madhe – streha që bashkon shqiptarë, romë e serbë me aftësi të kufizuara mendore

“Gruaja me zemër të madhe”.

Lajme

17/03/2020 21:37

Kështu do të përshkruhej më së miri figura dhe humanizmi i Resmije Krasniqit, themelueses së Qendrës Hadër në Prizren.

Shqiptarë, romë e serbë me aftësi të kufizuara mendore tash e 21 vite kanë një strehë, të cilën falë humanizmit dhe insistimit ua mundësoi Resmije Krasniqi.

Për ta hapur këtë qendër, ajo nuk u nxit asnjëherë nga motive tjera, përveç dhembshurisë për vajzën e saj që vuan nga të njëjtat probleme.

Gjithçka nisi pas përfundimit të luftës. Atë kohë, Resmije Krasniqi nuk do të pajtohej asnjëherë me gjendjen në të cilën ishin lënë personat me aftësi të kufizuara mentale.

Nevojtarët ajo i mori nga gjendja e mjerueshme në rrugë, i strehoi e u ofroi mbështetje.

VIDEO

Asaj, tek muajt e fundit, iu licensua qendra, por mbeti pa përkrahje financiare e në gjendje të rëndë për ta siguruar mbijetesën e institucionit që ajo drejton.

Krejt çka mbeti në llogarinë e kësaj qendre për shfrytëzim, janë veç 59 euro.

Në një situatë të tillë, Krasniqi kishte mbetur edhe pa ushqim për të strehuarit e saj.

Ajo rrëfen se për një kohë të gjatë, u morën tepricat ushqimit që hanin ushtarët turq në bazën e KFOR-it që është pak metra larg tyre.

Përkundër të gjitha vështirësive, Resmije Krasniqi e praktikon një përditshmëri normale.

Gjatë tërë kohës, pacientët e kësaj qendre merren me plot aktivitete. Ata tashmë kanë edhe krijimtaritë e tyre; vizatime, qafore e rroba të qepura.

Resmije Krasniqi shpreson që institucionet nuk do ta lënë pas dore.

E derisa institucioneve t’i bie ndërmend për gjendjen e tyre, ata do të jenë nën mëshirën e fatit dhe njerëzve të vullnetit të mirë.