Gruaja e frizerit të Haxhiut ngarkohet me përgjegjësi për të akuzuarit e Speciales, MD flet për emërimin e saj

Brikena Kelmendi Gashi, gruaja e frizerit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është punësuar në një divizion të rëndësishëm të këtij dikasteri. Emërimi i saj në këtë pozitë ka ngjallur reagime jo të pakta në opinion, marrë parasysh afërsinë e frizerit Armend Gashi me Vetëvendosjen, veçanërisht me ministren Haxhiu. Nga 16 janari i këtij viti,…

Lajme

08/02/2023 11:51

Brikena Kelmendi Gashi, gruaja e frizerit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është punësuar në një divizion të rëndësishëm të këtij dikasteri. Emërimi i saj në këtë pozitë ka ngjallur reagime jo të pakta në opinion, marrë parasysh afërsinë e frizerit Armend Gashi me Vetëvendosjen, veçanërisht me ministren Haxhiu.

Nga 16 janari i këtij viti, Ministrja Albulena Haxhiu do t’i ketë më të këndshme oraret e punës në Ministrinë e Drejtësisë. Ajo ka emëruar miken e zaj dhe gruan e frizerit ku ministrja rregullon flokët, Brikena Kelmendi Gashin, si zyrtare në Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare te Personave te Akuzuar Potencial ne Proceset Gjyqësore pranë Dhomave te Specializuara, në Ministrinë që e udhëheq vet, shkruan lajmi.net.

Ky dikaster në ministrinë e Drejtësisë konsiderohet i një rëndësie të veçantë, marrë parasysh kompleksitetin e rasteve në Dhomat e Specializuara të Hagës si dhe raportin mes kërkesave dhe buxhetit të ndarë për të akuzuarit e Speciales.

Në një përgjigje për lajmi.net, Divizioni për të Akuzuarit e Speciales në MD ka thënë se Kelmendi Gashi është emëruar si zyrtare në këtë dikaster. Ata konfirmojnë se emërimi i saj është bërë më 16 janar.

“Bazuar në pyetjet tuaja, me lejoni të ju informojë që në baze të Vendimit me numër 15/2023, te datës 16/01/2023, Brikena Kelmendi – Gashi, është emëruar zyrtare në Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare te Personave te Akuzuar Potencial ne Proceset Gjyqësore pranë Dhomave te Specializuara. Mandati i të emëruarës ka filluar nga data 16 Janar 2023”, thuhet në përgjigjen dhënë lajmi.net.

E mikja e Albulena Haxhiut siç duket do të ketë një “mal” me përgjegjësi të rëndësishme që lidhen direkt me të akuzuarit e Speciales.

Nga “KPMJMFPAPPGJDHS” i kanë thënë lajmi.net se një zyrtar në këtë division, ka përgjegjësi për udhëtimet e familjarëve të të akuzuarve në Speciale, rezervim të biletave, kompensim të udhëtimeve e përgjegjësi të tjera.

“Detyrat dhe përgjegjësitë e një zyrtari në Divizionin për KPMJMFPAPPGJDHS, janë të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe janë si në vijim:

Koordinon dhe përkujdeset për realizimin e udhëtimeve për familjarët të përcaktuara me udhëzim administrativ;

Vendos për kërkesën e palës për kompensimin e udhëtimit sipas udhëzimit administrativ;

Vëtkujdeset për rezervimin e biletave të udhëtimit dhe rezervimin e hotelit sipas kërkesës së personave;

Pas aprovimit procedon lëndët për pagesë sipas kërkesave të parashtruara;

Mban regjistrin e personave të akuzuar potencial dhe listën e anëtarëve të ngushtë të familjes së tyre dhe është përgjegjëse për ruajtjen dhe trajtimin e këtyre të dhënave sipas legjislacionit në fuqi për të mbrojtjen e të dhënave personale”, thanë nga ky dikaster i MD-së në një përgjigje për lajmi.net.

Frizeri i Albulena Haxhiut mohon ndikimin në punësimin e gruas në MD:

Lajmi.net mbrëmë ka kontaktuar edhe me frizerin Armend Gashi, gruaja e të cilit u punësua në ministrinë  e Albulena Haxhiut.

Ai konfirmon se bashkëshortja e tij dhe ministrja janë shoqëruar shumë më herët se sa ajo të fillonte trajtimet në lokalin “Vogue”, në pronësi të Armend Gashit.

“Nuk kam çka komentoj un, Albulena dhe gruaja (Brikena) jan shoqëruar shum më herët se që e njoh Albulenen”, ka deklaruar Armendi.

Ai ka thënë se sallonin e tij e vizitojnë politikanë të ndryshëm.

“Sallonin e vizitojnë shumë politikanë jo vetëm të Vetëvendosjes, po edhe nga opozita. P.sh. Lumir Abdixhiku është klient më shum se 10 vite. Nuk kam çka shtoj më shumë”, ka thënë Armendi.

Reagime në opinion:

Në lidhje me këtë zhvillim veçse kanë nisur reagimet. I pari që e ka lëshuar një të tillë është aktivisti i PSD-së, Nol Nushi. Ky ka thënë se emërimi i gruas së frizerit të Haxhiut në një dikaster kaq të rëndësishëm, shpërfaq formën se si pushteti e sheh shtetin. Më saktësisht, se sa “u intereson atyre për të akuzuarit në Hagë”.

“Albulena e puneson gruan e frizerit te sa ne Departamentin e ndihmes juridike per te akuzuarit e speciales. Kjo kallxon: Qysh e shohin keta shtetin! Sa ja u nine per te akuzuarit ne Hage! Sa i mbajne premtimet!”, ka shkruar Nushi.

Reagim ka pasur edhe nga gazetari Vehbi Kajtazi.

Kajtazi ka rikujtuar bujën e madhe që u pati krijuar në media kur frizeri tjetër, “Kaci” pati aderuar në AAK.

“Jane pase kalle tu e sha Kacin kur pati hy ne AAK. Djali pa asnje kerkese, pos dashurise per Ramushin per shkak se vjen nga nje familje deshmoresh te rene ne luften e Dukagjinit. Tash kur frizeri i Kurtit e Haxhiut perfiton nga ky pushtet, militantat e fshehin koken si strucë”, ka shkruar Kajtazi. /Lajmi.net/