Greva e punëtorëve teknik të Kuvendit, Kabineti i Konjufces: Kërkesat vazhdoni kundrejt operatorit ekonomik
Shefi i Kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, ka berë një reagim në lidhje me grevën e stafit mirëmbajtes të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se inkurajojnë stafin e mirëmbajtës të vazhdojnë kërkesat e tyre kundrejt operatorit ekonomik më të cilin kanë marrëdhënie pune, pasi sipas tij çështja e pagës është obligim i operatorit…
Lajme
Shefi i Kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, ka berë një reagim në lidhje me grevën e stafit mirëmbajtes të Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se inkurajojnë stafin e mirëmbajtës të vazhdojnë kërkesat e tyre kundrejt operatorit ekonomik më të cilin kanë marrëdhënie pune, pasi sipas tij çështja e pagës është obligim i operatorit ekonomik.
“Pagesa apo mos pagesa e kontributeve është ekskluzivisht obligim i Administratës Tatimore të Kosovës. Kurse Kuvendi i Republikës së Kosovës obligohet që para nënshkrimit të çdo kontrate të kërkojë dëshmi se aplikusi është tatim pagues i rregullt”, thuhet në njoftim.
Postimi i plotë:
Njoftim lidhje me protestën/grevën e stafit të mirëmbajtjes.
Si kabinet i kryeparlamentarit inkurajojmë stafin e mirëmbajtjes të vazhdojnë kërkesat kundrejt operatorit ekonomik me të cilin kanë edhe marrëdhënie pune.
Çështja e pagës është obligim i operatorit ekonomik si punëdhënës dhe stafit si punëmarrës.
Pagesa apo mos pagesa e kontributeve është ekskluzivisht obligim i Administratës Tatimore të Kosovës. Kurse Kuvendi i Republikës së Kosovës obligohet që para nënshkrimit të çdo kontrate të kërkojë dëshmi se aplikusi është tatim pagues i rregullt.
Më poshtë po i listoj edhe disa sqarime lidhje me pagesat dhe obligimet e operatorit ekonomik.
• Në kontratën e vitit 2019, pagat minimale bruto për mirëmbajtje të pastrimit kanë qenë si në vijim: Stafi për mirëmbajtje higjienike 250 euro kurse pjesa tjetër 300 euro deri 400 euro.
• Njësoj si në vitin 2019, kanë qenë edhe në aneks kontratën e vitit 2021.
• Në kontratën e vitit 2022, paga minimale bruto për stafin e mirëmbajtjes higjienike ka qenë: 280 euro.
• Në kontratën e vitit 2023 paga minimale bruto për stafin e mirëmbajtjes higjienike ka qenë: nga 300 euro.
• Në këto procedura të mëparshme, Autoriteti Kontraktues, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka kërkuar që tenderuesi duhet të paguajë pagën minimale për kategoritë e shërbimeve që ofrohen. Një kërkesë e tillë ka qenë në Dosje të tenderit dhe në kontratë, të cilën operatori ekonomik gjatë ekzekutimit të kontratës ka qenë i obliguar ta përmbushë!
• Në kontratën aktuale operatori ekonomik i ka dorëzuar dëshmitë se pagat minimale të paguara janë nga 300 euro e më tepër, në varshmëri të pozitës.
Në mungesë të mjeteve procedurale për t’i dhënë përgjigje kërkesave të drejta të stafit mirëmbajtës, si kabinet i kryetarit të Kuvendit mbështesim publikisht kërkesat e tyre duke vlerësuar të drejtë konstatimin se pagesat aktuale janë jashtëzakonisht të vogla. /Lajmi.net/