Greqia shlyu borxhin prej 459 milionë eurosh ndaj FMN-së

Greqia ka shlyer borxhin e saj ndaj FMN-së shumën që i detyrohet për muajin prill në kuadër të planit të saj mbështetës, konfirmoi sot drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde.

Bota

09/04/2015 22:18

“Kemi marrë paratë tona”, deklaroi Lagarde, pas një fjalimi të mbajtur në Washington.

Athina kishte theksuar më herët se i kishte dhënë Bankës së Greqisë një urdhër për transferimin e 459 milionë eurove FMN-së.

Lagarde kishte theksuar të dielën se Greqia ishte angazhuar për kryerjen e kësaj pagese në përfundim të një takimi në Washington me ministrin grek të Financave, Janis Varufakis.

Vendi është aktualisht në negociata të vështira me partnerët e saj të BE-së për vendosjen e programit të drejtuar nga BE-ja, Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe FMN-ja.

Mirëpo, Greqinë edhe në muajt në vijim e presin këste të larta që duhet t’ia lajë FMN-së.