Greqia me dy opsione në rast të refuzimit të BE-së

Greqia mund të mbajë një referendum ose të mbajë zgjedhje të reja të parakohshme, nëse partnerët e eurozonës refuzojnë planin e saj të borxheve dhe planin për rritjen ekonomike.

Lajme

08/03/2015 14:48

Kështu ka bërë të ditur ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis, gjatë një interviste për gazetën italiane “Corriere della Sera”.

Qeveria e re greke, e udhëhequr prej Alexis Tsipras, fitoi zgjedhjet e parakohshme të janarit me premtimin se do të rinegocionte marrëveshjen e shpëtimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe partnerët e tjerë të Bashkimit Europian, që kërkojnë disiplinë të hekurt buxhetore dhe reforma të thella ekonomike.

Qeveria arriti një marrëveshje të përkohshme me huadhënësit e saj muajin e kaluar, ndaj dhe Athina ka kohë deri në fund të prillit për të specifikuar reformat që do të ndërmarrë në këmbim të ndihmës së mëtejshme.

Ministrat e financave të eurozonës do të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar një plan të reformave të premtuara nga Athina, të dërguar javën e kaluar.

Nëse Brukseli do të refuzonte përfundimisht propozimet e Greqisë, Varoufakis tha për “Corriere della Sera” se “po, do të ketë probleme. Por ashtu siç e ka thënë edhe kryeministri grek, ne nuk jemi të ngjitur pas karrigeve tona. Mund të futemi sërish në zgjedhje të parakohshme, apo të mbajmë një referendum”.

Ai nuk ka specifikuar se çfarë lloj referendumi do të mund të mbahej, por nga spekulimet e së kaluarës thuhet se një “udhë pa krye” mund ta detyrojë qeverinë greke që të mbajë një referendum nëse vendi do të vazhdojë të pranojë rreptësinë e BE-së, një lëvizje që do të ngrinte dyshime mbi anëtarësimin e Greqisë në eurozonë, transmeton Top Channel.

Në intervistën për gazetën italiane, Varoufakis tha se përgjigja e deritanishme nga partnerët e eurozonës për propozimet e tij, që të zëvendësojë borxhin aktual me obligacione të lidhura me rritjen nominale vjetore, është thjesht një “heshtje”.

“Do të doja që Europa të kuptonte se kjo do të ishte një rrugë për të paguar më shumë parà, jo më pak”, tha Varoufakis sa i përket bonove të lidhura me rritjen ekonomike.

Në të njëjtën intervistë, ai ka shtuar se shteti i ka paratë “për të paguar pensionet dhe pagat e administratës publike”, dhe se Greqia nuk ka nevojë për një huadhënie të tretë për të paguar detyrimet e saj. Ai kritikoi gjithashtu Bankën Qendrore Europiane për “disiplinën e hekurt” që ndoqi, duke mos lënë zgjidhje për borxhet greke afatshkurtra, pasi sipas tij BQE-ja duhet blejë borxhet greke si pjesë e programit të saj të lehtësimit duke nisur nga ky moment, e jo nga vera e ardhshme. (lajmi.net)