Greqi, filloi procesi gjyqësor kundër 72 anëtarëve të Agimit të Artë

Procesi gjyqësor filloi pas hetimeve 15 muajshe, kurse në bankën e të akuzuarve janë edhe drejtuesit më të lartë të kësaj partie neonaziste.

Bota

04/02/2015 20:27

Të gjithë të akuzuarit për “pjesëmarrje në organizatë kriminale” u përballën sot me këshillin e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në Athinë.

Hetimet që filluan menjëherë pas vrasjes së muzikantit antifashist, i cili qe vrarë nga një anëtar i partisë “Agimi i Artë”, zgjatën për 15 muaj, shkruan BallkanWeb, transmeton lajmi.net.

Pjesë e gjykimit është themeluesi dhe njëherësh drejtuesi i kësaj partie Nikos Mihaloliakos, drejtuesit kryesorë dhe ish-deputetë të kësaj partie, si dhe dhjetra simpatizantë, të cilët njihen sidomos për dhunën e skajshme kundër emigrantëve.

Ky grup po akuzohet për veprat penale “pjesëmarrje në organizatë kriminale”, “vrasje në tentativë”, “dhunë raciste” dhe “përhapje idesh ksenofobe”.