Grenell për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë – Izrael: Madhështore

Emisari i Posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka komentuar lidhur me vendosjen e raporteve diplomatike në mes të Kosovës dhe Izraelit.

Lajme

22/10/2020 23:51

Ai reagimin e tij e ka bërë mbi postimin e kryediplomates kosovare Meliza Haradinaj-Stublla ku ajo ka njoftuar për mbledhjen e parë formale midis Kosovës dhe Izraelit, shkruan lajmi.net.

“Madhështore”, ka shkruar shkurtimisht Grenell.

E lidhur me këtë takim, ministrja e Jashtme e Kosovës, Haradinaj-Stublla ka shkruar edhe në Facebookun e saj.

“Kisha nderin të hap takimin e parë zyrtar konsultativ ndërmjet Drejtorive të Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, në të cilin u diskutua për detajet e vendosjes së Marrëdhënieve Diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, gatishmërinë për ndërtimin e marrëdhënieve të plota në të gjitha fushat, si dhe për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, ka shkruar Haradinaj-Stublla sot gjatë ditës.

Në anën tjetër, ajo ka paralajmëruar vizitën e saj në Izrael e gjithashtu ka thënë se njohja midis dy vendeve është punë e kryer. /Lajmi.net/