Grenell: Marrëveshja për linjën hekurudhore e mirë për Kosovën dhe Serbinë

Richard Grenell e sheh si hap shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë të arrihet marrëveshja për linjën e lirë hekurudhore.

Lajme

25/01/2020 21:02

I dërguari special i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell ka deklaruar sot se marrëveshja për trafikun e lirë hekurudhor mes Serbisë dhe Kosovës do të ishte “shumë i rëndësishëm për të dyja shtetet”.

Grenell, i cili është edhe ambasador i Amerikës në Gjermani, ka thënë për agjencinë e lajmeve “AP” se krijimi i lidhjes së transportit hekurudhor është shndërruar në prioritet pasi gjatë javës është arritur marrëveshja për krijimin e lidhjes ajrore Beograd – Prishtinë, pas 21 vjetësh, transmeton lajmi.net.

I dërguari amerikan gjatë javës ka qëndruar për vizitë në Prishtinë dhe Beograd, kurse të premten në konferencën për media në Beograd ka thënë se për detajet e krijimit të transportit të lirë hekurudhor do të mësohet më shumë të hënën gjatë një takimi në Berlin.

“Është duke u realizuar vizioni i presidentit Trump. Komuniteti i biznesit dhe fokusi mbi krijimin e vendeve të punës po e çel udhën”, theksoi Grenell.

I dërguari amerikan ka thënë se SHBA dëshiron që Serbia dhe Kosova të fokusohen në ekonomi, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përqendrimin tek normalizimi i raporteve.

Grenell ka bërë thirrje që të dyja palët të tejkalojnë pengesat që kanë bllokuar dialogun më tepër se një vit. /Lajmi.net/