Gratë viktima të luftës në Irak, numri i të vejave kalon një milion

Martesat e detyruara e të të miturve, martesat gjithnjë e më pak mes sunive dhe shiitëve, si dhe probleme të tjera me të cilat përballen gratë në Irak.

Bota

22/02/2015 19:09

Ministrja irakiane për Çështjet e Grave, Beyan Nuri duke folur rreth problemeve të grave në krizën që ka përfshirë Irakun vuri në dukje se numri i të vejave në vend tani më ka arritur një milion, shkruan Anadolu Agency.

“Shumë burra vdiqën në përleshje me ISIL-in, ndërsa një numër i madh i grave mbetën të veja. Kemi konstatur se pas konflikteve të fundit numri i të vejave në vend ka tejkaluar një milion. Këto gra kanë trauma të rënda psikologjike dhe probleme humanitare”, tha ministrja Nuri.

Ndërsa vuri në dukje se gratë e Irakut kanë pësuar “më së keqi” nga kriza aktuale në vend, Nuri tha se viktimat më të mëdha të konfliktit me ISIL-in janë gratë jezide të cilët janë rrëmbyer, dhe se deri më tani nuk ishte e mundur të përcaktohet me saktësi numri i tyre.

“Burime të ndryshme tregojnë shifra të ndryshme. Disa pretendojnë se janë rrëmbyer më shumë se katër mijë, ndërsa disa të tjerë besojnë se janë rrëmbyer katërqind gra. Gjithashtu nuk kemi asnjë të dhënë të besueshme për numrin e grave që u vranë gjatë përleshjeve me ISIL-in”, tha Nuri.

Ministrja Nuti theksoi se qeveria irakiane ka përgatitur një projekt-ligj mbi ndihmën për gratë viktima të luftës, në rast se ato kalojnë procedurën në parlament, këto gra duhet të paguhen me 10,000 dollarë për përjetim të dhimbjes.

Çështjet e martesës së detyruar të miturave dhe martesat mes sekteve

Ministrja irakiane për Çështjen e Grave Nuri, gjithashtu tregon për problemin serioz social të rritjes së numrit të martesave të detyruara të vajzave nën moshë.

Duke theksuar për numrin në rritje të rasteve që prindërit me forcë i martojnë vajzat e moshës 13-14 vjeç, Nuri tha se të dhënat zyrtare të Ministrisë tregojnë se numri më i madh i divorceve është pikërisht në çifte të tilla.

Nuri shton se prej 100 martesave në Irak aktualisht 20 prej tyre janë divorcuar dhe se ky trend është në rritje të vazhdueshme tashmë prej disa vitesh.

Duke iu referuar edhe marrëdhënieve ndërsektare në Irak, Nuri tha se në vitet 90′ të shekullit të fundit martesat mes pjesëtarëve të sekteve më të mëdha sunite dhe shiite ishin të shpeshta, por se përqindja e këtyre martesave është reduktuar në mënyrë të konsiderueshme.

“Sipas të dhënave që kemi, tani mund të themi se pothuajse nuk ka raste të martesave mes pjesëtarëve të sekteve të ndryshme fetare”, tha Nuri.

Shkalla e punësimit të grave në sektorin publik në Irak aktualisht është 35 përqind, ndërsa ministrja Nuri vuri në dukje se në Ministrinë e Financave kjo shkallë është 50 përqind, ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes vazhdon të jetë e ulët me 5 përqind. Ajo shtoi se gratë në Irak ende nuk kanë qasje të barabartë në pozita të larta në shtet dhe është një çështje për të cilën është duke punuar qeveria aktuale.